“Vrapojmë për Koçanin” – Gara humanitare në shtatë qytete për të prekurit nga tragjedia
Të dielën, më 25 maj, me rastin e Ditës së Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti i Europe House organizojnë një garë humanitare me moton “Të gjithë për Koçanin – Vrapojmë së bashku”, transmeton Flaka. Ngjarja do të zhvillohet njëkohësisht në shtatë qytete të Maqedonisë së Veriut: Shkup, Strumicë, Kriva Pallankë, Manastir, Veles, Strugë dhe Tetovë, me qëllim mbledhjen e fondeve për të prekurit nga tragjedia e fundit në Koçan.
Në Shkup, garat do të mbahen në pjesën e mesme të Vodnos. Gara 5-kilometërshe do të nisë në orën 10:00, ndërsa ajo prej 10 kilometrash në orën 11:00. Për pjesëmarrësit dhe qytetarët që planifikojnë të marrin pjesë në këtë ngjarje, është organizuar transport falas me autobusë nga parkingu pranë Tregut të Luleve deri në Vodno të mesme. Autobusët do të qarkullojnë nga ora 08:30 deri në 10:10, ndërsa kthimi do të jetë i mundur nga ora 12:00 deri në 14:15. Disa prej autobusëve janë ekologjikë dhe janë mundësuar me mbështetjen e BE-së, si pjesë e iniciativës për mobilitet të qëndrueshëm dhe mbrojtje të mjedisit.
Për ata që dëshirojnë sfidë sportive shtesë, shtegu për këmbësorë nga baza e Vodnos deri në pikën e nisjes mbetet i hapur për ecje ose vrapim.
Shpërndarja e numrave startues për pjesëmarrësit nga Shkupi po zhvillohet në hapësirat e Europe House Shkup më 23 maj (e premte) nga ora 09:00 deri në 19:00 dhe më 24 maj (e shtunë) nga ora 09:00 deri në 16:00. Pjesëmarrësit duhet të paraqesin numrin e regjistrimit ose konfirmimin nga emaili. Për grupet e regjistruara, një përfaqësues mund të tërheqë të gjithë numrat startues. Numrat nuk do të shpërndahen në ditën e garës.
Në gjashtë qytetet e tjera, shpërndarja bëhet në të njëjtat data dhe orare në zyrat lokale të Europe House.
Gara është e hapur për qytetarë të të gjitha moshave dhe niveleve të përgatitjes fizike. Regjistrimi tashmë është mbyllur, por të interesuarit mund të ndjekin informacionet shtesë në rrjetet sociale të Europe House.
Të gjitha të ardhurat nga regjistrimet do t’i dhurohen Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të shfrytëzohen për të ndihmuar komunitetin në Koçan. Një kuti donacionesh do të vendoset edhe në vendngjarje për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë më tej.
Ky solidaritet qytetar dhe evropian është një shembull i fuqisë së bashkëpunimit dhe humanizmit përballë fatkeqësive. Flaka