Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë nën kritika për mosrespektimin e gjuhës shqipe
Një urdhër verbal i motrës kryesore në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë ka shkaktuar reagime mes të punësuarve shqiptarë. Sipas raportimit të televizionit Alsat, punonjësit janë revoltuar pasi u është ndaluar lëshimi i vërtetimeve për vaksinim në dy gjuhë, përkatësisht në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
“Nuk kam asgjë kundër dygjuhësisë, por deri më sot kemi dhënë vërtetime vetëm në maqedonisht. Sot i keni dhënë në dy gjuhë. Mos i ngatërroni punët. Nga tani e tutje të jepen vetëm kështu dhe askujt të mos i shkojë ndër mend të kërkojë ndryshe”, thuhet në urdhrin verbal të motrës kryesore, sipas denoncimeve.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, Sedat Zylbehari, e ka konfirmuar ekzistencën e urdhrit joformal, duke sqaruar se bëhet fjalë për një vendim të përkohshëm. “Së shpejti, vërtetimet do të lëshohen në dy gjuhë”, tha ai për Alsat.
Ndërkohë, nga Shtëpia e Shëndetit Publik në Kumanovë thonë se shumica e dokumenteve tashmë janë në dy gjuhë, por ftesat dhe vërtetimet për vaksina që janë aktualisht në përdorim janë shtypur përpara ndryshimeve të fundit dhe po shfrytëzohen për të shmangur shpenzime të panevojshme.
Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që punonjësit shqiptarë ankohen për diskriminim gjuhësor dhe institucional brenda këtij institucioni. Ata pretendojnë për mosrespektim të gjuhës shqipe në dokumentacion, mungesë përfaqësimi në vendimmarrje dhe vonesa në avancime të kuadrove shqiptare.
Së fundmi, policia ka kallëzuar penalisht ish-drejtorin e këtij institucioni për punësime të bëra në kundërshtim me ligjin.