Të shtëna me armë në Tetovë: 30 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, autori në arrati
Policia e Tetovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me një incident të rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën 111 në Tetovë, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri ndaj një shtëpie banimi, njofton Flaka
Sipas njoftimit nga SPB Tetovë, rreth orës 21:15 të datës 26 maj, persona të panjohur që lëviznin me një motoçikletë-skuter kanë shtënë me armë automatike në drejtim të shtëpisë së M.T. nga Tetova, ku në atë moment ndodheshin ai dhe familja e tij.
Policia konfirmon se në vendngjarje janë gjetur rreth 30 gëzhoja automatiku, ndërsa për fat të mirë nuk ka persona të lënduar. Nga të shtënat janë shkaktuar dëme materiale në objektin banues.
“Menjëherë pas raportimit është vepruar sipas kallëzimit dhe është konstatuar se nuk ka persona të lënduar. Është njoftuar prokurori publik, dhe një ekip nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë po kryen këqyrjen në vendngjarje,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, autorët e këtij sulmi të rrezikshëm vazhdojnë të jenë të pakapshëm, dhe policia po ndërmerr masa për identifikimin dhe arrestimin e tyre.
Ky rast ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe lagjen ku ndodhi ngjarja, ndërsa qytetarët kërkojnë më shumë siguri dhe prani policore në zonat urbane.
Portali do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe do t’ju informojë për zhvillimet e reja. Flaka Media