Taravari: Nuk ka marrëveshje me BDI-në, Aleanca mbetet në rrugën e vet

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Maj, 2025 20:24

Taravari: Nuk ka marrëveshje me BDI-në, Aleanca mbetet në rrugën e vet

Në një intervistë për emisionin PikëPodkast në ORA24 TV, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, foli hapur për marrëdhëniet me BDI-në, situatën brenda VLEN-it dhe komunikimin me liderët politikë, transmeton Flaka

“Jam i lumtur që Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e ndryshimit që e dërgoi BDI-në në opozitë, por mendoj se BDI ende nuk është reformuar – asaj i duhet kohë për t’u reformuar”, theksoi Taravari.

Ai ka komentuar edhe raportet me ish-ministrin Azir Aliu, duke e konsideruar atë si person që “kalon andej ku bëhet ministër” dhe sipas tij, “po t’i thuhet se nuk do të jetë ministër, ai nuk do të qëndronte as aty”.

Sa i përket koalicionit, Taravari ka qenë i qartë: “VLEN ishte projekt i paqëndrueshëm. Në strukturë nuk funksiononte, kishte ankesa të vazhdueshme nga grupet se po i bllokonte ky ose ai. Pavarësisht se tre liderët komunikonin mirë, ASH-ja ishte si trup i huaj aty”.

Ai zbuloi se ideja për bashkim në një parti politike ishte ofruar menjëherë pas zgjedhjeve, por u shty për më vonë, çka sipas tij solli edhe ndarjen.

Lidhur me komunikimin me Ali Ahmetin, Taravari bëri të ditur se kontakti i parë kishte ardhur përmes Azir Aliut, i cili kishte komunikuar me liderin e BDI-së pa dijeninë e tij që nga janari, duke e njoftuar më vonë.

Ndërsa për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e tjerë të VLEN-it, Taravari sqaroi se “nuk është diskutuar për marrëveshje me BDI-në, por vetëm për situatën në qeveri ku VLEN, sipas tij, ishte shtrirë për toke”.

Në fund, Taravari theksoi se nuk ka pasur dhe nuk ka marrëveshje me Ali Ahmetin, ndërsa Aleanca për Shqiptarët, sipas tij, “mbetet aty ku ka qenë”, duke nënvizuar se nga 250 nëndegë, vetëm rreth pesë kanë lëvizur. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Maj, 2025 20:24
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media