Kasami bie dakord me idenë e Mickoskit për një njësi zgjedhore, por kërkon garanci!

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2025 23:15 Përditësuar

Kasami bie dakord me idenë e Mickoskit për një njësi zgjedhore, por kërkon garanci!

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në një intervistë për Alsat – Maqedoni, deklaroi se tema e modeleve zgjedhore hapet gjithmonë para zgjedhjeve, por aktualisht nuk mund të zgjidhet menjëherë. Ai theksoi se VLEN po analizon tre modele të ndryshme dhe synon të gjejë atë që garanton mbrojtjen e përfaqësimit të shqiptarëve, njofton Flaka.

Kasami bëri të ditur se Besa mbështet modelin me tri njësi zgjedhore, ndërsa ASH-ja favorizon modelin me tetë njësi. Aktualisht, sipas tij, po angazhohen ekspertë për të hartuar në detaje këtë çështje.

“Ne do të pranonim edhe një model me një njësi zgjedhore, nëse ka garanci që do të mbrohen votat etnike dhe do të ketë përfaqësues shqiptarë në të gjitha vendvotimet në territor,” tha Kasami.

Ai shtoi se modeli me një njësi zgjedhore mund të ketë efekt negativ në përfaqësimin e shqiptarëve në vendbanimet ku ata nuk janë të pranishëm, duke theksuar rëndësinë e prezencës shqiptare në të gjithë territorin.

Kasami gjithashtu u shpreh se përpara se të pranohet ideja e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për një njësi zgjedhore, duhet të ketë garanci për mbrojtjen e votës dhe përfaqësimit etnik të shqiptarëve, duke kërkuar që në çdo vendvotim do të kishte përfaqësues shqiptarë në tërë territorin, një ide vështirë e realizueshme duke patur para sysh konfiguracionin e terrenit, përbërjen etnike të vendbanimeve të caktuara dhe mundësinë e manipulimit masiv të procesit zgjedhor. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2025 23:15 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media