Nga ligji i munguar te punësimet diskriminuese – Kasami konfuz dhe pa vizion

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2025 23:08

Nga ligji i munguar te punësimet diskriminuese – Kasami konfuz dhe pa vizion

Në një intervistë për televizionin Alsat-M, kryetari i Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, dha përgjigje të paqarta dhe kontradiktore rreth dy çështjeve kyçe që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në Maqedoninë e Veriut: vonesat e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe punësimet masive të njëanshme në institucione.

I pyetur për zvarritjen e ligjit për përfaqësim adekuat, Kasami u përpoq ta justifikojë me përçarjet e brendshme në VLEN, duke përmendur largimin e Arben Taravarit si një nga faktorët që sipas tij e ka vonuar procesin. Por kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili pak ditë më parë deklaroi se koncepti i ligjit ka qenë gati që në dhjetor 2024, dhe aktualisht ndodhet në konsultim me ekspertë të së drejtës kushtetuese.

“Tani të çliruar nga ky faktor destruktiv, presim që ligji të dalë para opinionit shumë shpejt,” u shpreh Kasami.

Mirëpo, edhe për çështjen tjetër thelbësore – diskriminimin në punësime publike – Kasami nuk dha asnjë sqarim të qartë. Duke shmangur përgjigje konkrete, ai pranoi se shqiptarët ende nuk e arrijnë përfaqësimin prej 25%, ndërkohë që theksoi se ka një “dakordësi politike” për të ruajtur balancën etnike në punësime, pa ofruar detaje, afate apo mekanizma të mbikëqyrjes.

“Nuk duam të hyjmë në debat politik se ku ka më shumë maqedonas apo shqiptarë të punësuar… kemi dakordësi që të ruajmë përfaqësimin adekuat konform kushtetutës,” deklaroi Kasami, duke lënë pa përgjigje thelbin e pyetjes.

Ndërkohë, institucionet vazhdojnë të mbushen me punësime pothuajse ekskluzivisht maqedonase, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë në qeveri ofrojnë vetëm deklarata politike, pa hapa konkretë për ta ndalur diskriminimin.

Qasja e Kasamit në këtë intervistë ka nxitur reagime të shumta në opinion publik, ku vlerësohet se liderët e VLEN-it nuk po përmbushin zotimet për përfaqësim të drejtë, dhe po përdorin gjuhë të paqartë për të shmangur përgjegjësinë për dështimet e deritanishme. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Qershor, 2025 23:08
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media