BDI alarmon për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet kyçe shtetërore
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit që tregojnë për një përfaqësim të pamjaftueshëm të shqiptarëve në pozitat vendimmarrëse brenda institucioneve shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas një analize të publikuar në disa media vendase, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar në disa nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, përfshirë Presidencën, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO-n dhe Agjencinë e Administratës.
BDI e cilëson këtë disproporcion si veçanërisht shqetësues, sidomos pas shfuqizimit të mekanizmit të “Balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese më 9 tetor 2024, një mekanizëm ky që deri atëherë garantonte përfaqësim të drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
“Pas vendimit të Gjykatës, mungesa e një zgjidhjeje të re ligjore ka prodhuar pasoja konkrete në përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat kyçe të vendimmarrjes”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Subjekti politik shqiptar rikujton se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha komuniteteve përbën një nga shtyllat themelore të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe një parakusht për një shoqëri funksionale, demokratike dhe të barabartë.
BDI u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente për ta adresuar këtë pabarazi dhe për të siguruar përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës publike.
“BDI mbetet e përkushtuar për të punuar në drejtim të barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe integrimit të plotë të shqiptarëve në jetën institucionale të vendit,” përfundon deklarata. Flaka Media