ASH reagon ndaj emërimeve të reja: “Po shpërblehen njerëzit e komunikimeve me BDI-në”

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Qershor, 2025 09:40

ASH reagon ndaj emërimeve të reja: “Po shpërblehen njerëzit e komunikimeve me BDI-në”

Në prag të seancës parlamentare të sotme, ku pritet të formalizohen zëvendësimet në postet qeveritare të lëna nga Aleanca për Shqiptarët, kjo e fundit ka reaguar me një deklaratë të ashpër publike, duke ngritur një sërë pyetjesh ndaj aktorëve kryesorë të qeverisë aktuale, transmeton Flaka Media

Pyetje për VLEN-in dhe VMRO-në

Aleanca ngre dilema të drejtpërdrejta ndaj ish-partnerëve të saj politikë, duke i akuzuar për hipokrizi dhe përçarje të brendshme:

“Bilallin, Izetin i pyesim: A kanë rënë në ujë kumtesat e koordinuara në orët e vona kundër Aleancës për komunikime me BDI-në, kur sot po bëni ministër Azir Aliun, që ka qenë nyja kryesore e atyre komunikimeve?”

Po ashtu, në deklaratë përmendet edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai:

“Fetain e pyesim: pjesën më të madhe të posteve që la ASH-ja, heshturazi po i marrin njerëzit e Izetit. Domethënë, në VLEN ti lobove më shumë për njerëzit e Izetit? Dhe kemi dëgjuar që duan të ta marrin postin për të joshur një parti më të vogël – mos do të bëjmë dhe ty ambasador?”

Kritika për “vijat e kuqe” të VMRO-së

Deklarata shkon më tej me një pyetje ironike për VMRO-DPMNE-në, e cila në fushatë deklaronte “vija të kuqe” ndaj BDI-së:

“Ku shkuan ‘vijat e kuqe’ me BDI-në, tani që po sillni në qeveri njerëz që kanë qenë urë lidhëse me BDI-në?”

“Faleminderit që na forcuat”

Duke e përmbyllur deklaratën në mënyrë sfiduese, Aleanca për Shqiptarët shpreh bindjen se skenaret aktuale politike vetëm sa po i rrisin mbështetjen në opinion:

“Ju falënderojmë thellësisht që me pazaret e hapura që po bëni në sy të popullit, keni kontribuar të forconi Aleancën për Shqiptarët si asnjëherë më parë. Populli e kupton çdo ditë e më qartë pse ju braktisëm – e sa mirë që bëmë!”

Deklarata mbyllet me një paralajmërim të drejtpërdrejtë për zgjedhjet e tetorit:

“Tetori është shumë afër, shihemi atëherë!” Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Qershor, 2025 09:40
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media