Xhezairi: VLEN-i i përkrahur nga Kurti ka dështuar – Mickoski po realizon Maqedoninë e maqedonasve
Gazetari dhe analisti Seladin Xhezairi komenton për Flaka sondazhin më të fundit të Market Vision, duke e cilësuar si pasqyrë të zhgënjimit ndaj qeverisjes së VLEN-it me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in.
Driton ZENKU
Në një prononcim për Flaka, gazetari dhe analisti i njohur Seladin Xhezairi ka komentuar rezultatet e sondazhit më të fundit të publikuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë Market Vision, duke theksuar se shifrat reflektojnë realitetin politik dhe zhgënjimin e thellë të elektoratit shqiptar ndaj koalicionit qeverisës VLEN.
“Sondazhet reflektojnë zbythjen dhe zhgënjimin e shqiptarëve”
“Këto si dhe sondazhe të mëhershme, përkojnë me realitetin nëpër të cilin po kalon Maqedonia e Veriut, përkatësisht ato, kur është fjala për shqiptarët, reflektojnë zhgënjimin e votuesve me ata që në zgjedhjet e fundit premtuan shumëçka, ndërsa pas më shumë se një viti qeverisjeje me VMRO-DPMNE-në dhe ZNAM-in, kemi një zbythje që po sanksionohet edhe përmes këtyre sondazheve,” thotë Xhezairi.
Sipas tij, grupimi që gëzonte përkrahjen e Prishtinës zyrtare dhe kryeministrit Kurti, ka dështuar në të dyja frontet – brendshëm dhe ndërkombëtarisht.
“Në gjykimin tim, grupimi politik që ka mbështetjen e LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, dështoi si në planin e brendshëm – kemi një degradim të interesave shqiptare – ashtu edhe në atë të jashtëm, ku negociatat për aderim të plotë në BE mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së ndryshimeve kushtetuese. Fitohet përshtypja se partia VMRO-DPMNE dhe kreu i saj, kryeministri Hristijan Mickoski, po e realizojnë në plotëni programin e tyre parazgjedhor, duke e bërë Maqedoninë – të maqedonasve, ndërsa katër subjektet shqiptare duket se vetëm janë të kënaqura me postet që ushtrojnë,” deklaron Xhezairi.
“Largimi i Aleancës e ka dëmtuar VLEN-in ndjeshëm”
I pyetur nëse VLEN ka humbur gjysmën e elektoratit pas largimit të Aleancës për Shqiptarët dhe si e parashikon përballjen në zgjedhjet lokale, Xhezairi thotë:
“Përtej politikës ditore dhe interesave puro partiake, kujtoj se largimi i grupimit të zotit Taravari dëshmon se Arben Taravari i mbeti besnik një zotimi menjëherë pas zgjedhjeve, se nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese (më duket se përmendi afatin prej gjashtë muajsh), atëherë nuk kanë se çfarë kërkojnë në Qeveri.”
“Pra, nuk e di nëse është gjysma e elektoratit ose jo, por largimi është duke i kushtuar goxha shumë këtij grupimi të vetëquajtur VLEN. Çmimi do të dihet në vjeshtë!” përfundon ai.














