Limani: Brenda VLEN-it ka pasur udhëzime që pas orës 15:00 të mos dilet në votim
Ish-U.D. kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në një intervistë për emisionin “Debat në SHENJA”, ka ngritur dyshime serioze për ndikimet e brendshme që, sipas tij, çuan në mosarritjen e censusit në raundin e parë të zgjedhjeve në Gostivar.
Sipas Limanit, ekzistojnë “informata të sigurta” se grupe të caktuara brenda koalicionit VLEN kanë dhënë udhëzime që qytetarët të mos dalin në votim pas orës 15:00.
“Situata është rezultat i disa rrethanave të ndërthurura. Njëra prej arsyeve është se kemi informata të sigurta që grupe brenda këtij koalicioni pas orës 15:00 kanë dhënë instruksione të mos dilet të votohet. Po ashtu, lista e votuesve nuk është mirë e azhurnuar, por edhe faktorë të tjerë ndikuan që censusi të mos arrihet për vetëm 21 vota,” u shpreh Limani.
Ai shtoi se nëse do të kishte pakënaqësi reale në trupin zgjedhor, atëherë diferenca nuk do të ishte vetëm 21 vota: “Në atë rast, censusi do të mungonte me 2–3 mijë vota, e ndoshta edhe më shumë.”
Limani paralajmëroi se në raundin e ardhshëm pritet mobilizim më i madh i votuesve dhe se rezultati do të tregojë drejtimin real të vullnetit qytetar.














