Qumështi apo lëngu i portokallit? Ja cila është zgjedhja më e shëndetshme për mëngjesin tuaj
Shumë njerëz e nisin ditën me një gotë lëng ose qumësht, por shpesh lind dilema: cila është alternativa më e shëndetshme? Sipas analizës së AgroWeb.org, të dyja pijet kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre, por ekspertët sugjerojnë kujdes në mënyrën e konsumimit.
Lëngu i portokallit
- Avantazhet: Një gotë lëng portokalli të freskët përmban rreth 110 kalori dhe plotëson dozën e plotë të vitaminës C, një antioksidant i fuqishëm që mbron lëkurën nga dëmet e diellit dhe ndotjes.
- Disavantazhet: Konsumimi i tepërt dëmton enamelin e dhëmbëve. Studimet tregojnë se konsumimi i përditshëm për pesë ditë radhazi ul fortësinë e dhëmbëve me 84%.
Qumështi
- Avantazhet: Një gotë qumësht plotëson 20% të nevojave ditore për proteinë dhe gjysmën e nevojës për kalcium. Studimet tregojnë se konsumimi i qumështit në mëngjes ndihmon në kontrollin e peshës dhe ul oreksin në vaktin pasues.
- Disavantazhet: Qumështi i plotë përmban yndyra të ngopura, që rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Për më tepër, qumështi jo-organik shpesh vjen nga kafshë të ushqyera me antibiotikë dhe hormone.
Cila është zgjedhja më e mirë?
Ekspertët sugjerojnë qumështin organik, i cili është më miqësor me dhëmbët dhe përmban më shumë antioksidantë, beta-karoten, vitaminë E dhe acide yndyrore omega-3. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë nga portokalli – thjesht preferoni ta konsumoni si frut, jo si lëng, për të marrë vlerat më të plota ushqyese.
Flaka














