Elena Mijalkova: Propozim-ligji e vë autonominë universitare në pikëpyetje
Elena Mijalkova ka reaguar lidhur me propozim-ligjin për arsimin e lartë, duke paralajmëruar se dispozitat e tij prekin drejtpërdrejt autonominë universitare dhe balancën mes pushtetit dhe dijes në shoqëri.
Sipas saj, propozimi parashikon ndërhyrje të drejtpërdrejta të ministrit në vendimmarrjen akademike.
“Propozim-ligji vendos mundësinë që ministri të shfuqizojë vendime të organeve universitare, kërkon pëlqim politik për statutin e institucionit dhe parashikon rizgjedhje periodike të profesorëve të rregullt. Në shikim të parë bëhet fjalë për mekanizma të ‘kontrollit të ligjshmërisë’ dhe ‘përmirësimit të cilësisë’. Por kur pushteti ekzekutiv bëhet instanca e fundit në çështjet akademike, ndërsa profesorët hyjnë në cikël vlerësimi të rregullt, shtrohet pyetja nëse autonomia mbetet parim apo shndërrohet në kategori të kushtëzuar”, thekson Mijalkova.
Ajo nënvizon se çështja nuk është e kufizuar vetëm brenda mureve të universiteteve, por ka implikime më të gjera shoqërore.
“Pse kjo është e rëndësishme jashtë amfiteatrove universitare? Sepse autonomia e universitetit nuk është privilegj administrativ, por garanci civilizuese që dija do të mbetet e pavarur nga politika ditore dhe interesat ekonomike. Universiteti është institucion që duhet të ketë të drejtë të kritikojë pushtetin, të rishqyrtojë modelet shoqërore dhe të prodhojë pyetje të pakëndshme. Nëse ai hapësirë bëhet e varur nga pëlqime dhe ndërhyrje, atëherë nuk ndryshon vetëm statusi i profesorëve – ndryshon ekuilibri mes dijes dhe pushtetit në të gjithë shoqërinë”, deklaron ajo.
Debati për propozim-ligjin pritet të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, ndërsa çështja e autonomisë universitare mbetet në qendër të diskutimeve publike. Gazeta Flaka


















