Aksident hekurudhor në Zvicër, disa të plagosur
Një tren ka dalë nga shinat të hënën në mëngjes në zonën Goppenstein të kantonit Valais, pasi një ortek goditi linjën hekurudhore. Policia konfirmoi se një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në vendngjarje dhe se disa persona kanë mbetur të plagosur.
Sipas një njoftimi të publikuar nga autoritetet lokale në platformën X, forcat e emergjencës ndodhen në terren, ndërsa raportet fillestare flasin për lëndime mes pasagjerëve. Një zëdhënës i kompanisë hekurudhore BLS konfirmoi se shkaku i daljes nga shinat ishte një ortek që goditi linjën.
Incidenti ndodhi në zonën Stockgrabe, midis Goppenstein dhe Hochten, ndërsa në bord ndodheshin rreth 80 pasagjerë. Sipas Swiss Federal Railways (SBB), trafiku hekurudhor në këtë linjë do të mbetet i pezulluar të paktën deri në orën 4:00 të mëngjesit të së martës.
Mediat zvicerane raportojnë se treni i përfshirë ishte një ekspres rajonal që ishte nisur nga Spiez, në kantonin e Bernës, rreth orës 6:00 të mëngjesit. Kompania BLS bëri të ditur se procesi i evakuimit të pasagjerëve nisi menjëherë pas incidentit.
Autoritetet po vazhdojnë operacionin në vendngjarje, ndërsa priten informacione të mëtejshme zyrtare mbi gjendjen e të lënduarve dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Flaka


















