Ligji për mbrojtje nga duhani i dorëzohet javën e ardhshme Qeverisë
Projektligji për mbrojtje nga duhani pritet t’i dorëzohet javën e ardhshme Qeverisë, pasi Ministria e Shëndetësisë po finalizon analizën e komenteve të marra gjatë debatit publik.
Nga ministria bëjnë të ditur se harmonizimet e bëra nuk e ndryshojnë thelbin e ligjit, i cili synon parandalimin e pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga pirja pasive e duhanit në hapësira të mbyllura publike dhe ambiente pune.
Sipas autoriteteve, zbatimi me faza nuk nënkupton shtyrje të hyrjes në fuqi të ligjit, por vetëm një periudhë fillestare me mbikëqyrje dhe informim të shtuar për subjektet dhe qytetarët, me qëllim zbatim sa më efektiv.
Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, projektligji parashikon edhe:
- Ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit;
- Rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës;
- Masa më të rrepta për mbrojtjen e të miturve nga produktet e duhanit.
Ministria thekson se qëllimi kryesor është përmirësimi i shëndetit publik dhe ulja e pasojave shëndetësore që lidhen me konsumimin aktiv dhe pasiv të duhanit.
Flaka


















