5 këshilla për të përballuar “sëmundjen e pranverës” dhe për të rigjallëruar trupin
Pranvera, stina e rilindjes dhe e energjisë së re, shpesh shoqërohet edhe me një gjendje lodhjeje fizike e mendore, e njohur si “sëmundja e pranverës”. Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me ndryshimet klimatike dhe atmosferike që ndikojnë drejtpërdrejt në proceset fiziologjike të organizmit.
Për të përballuar këtë periudhë dhe për të rizgjuar trupin, ekspertët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë, por efektivë:
- Detoksifikoni organizmin përmes ushqimit. Konsumoni proteina të shëndetshme nga mishi dhe peshku, të kombinuara me fruta e perime të freskëta të stinës. Shmangni dietat drastike dhe zgjidhni vakte të lehta, por të shpeshta.
- Aktiviteti fizik i moderuar. Filloni gradualisht me ushtrime të lehta, shëtitje apo yoga, për të ndihmuar trupin të çlirohet nga toksinat e dimrit.
- Kujdes me veshjen. Temperaturat e paqëndrueshme të pranverës kërkojnë veshje shtresë mbi shtresë, për të shmangur ftohjet dhe lodhjen e trupit.
- Gjumi cilësor. Pavarësisht ditëve më të gjata, është e rëndësishme të ruani një ritëm të qëndrueshëm gjumë-zgjim dhe të siguroni pushim të mjaftueshëm.
- Çlirimi nga stresi. Pranvera është momenti ideal për t’iu përkushtuar vetes, për të praktikuar teknika relaksimi dhe për të gjetur kohë për aktivitete që sjellin qetësi shpirtërore.
Duke ndjekur këto këshilla, jo vetëm që do të përballoni më lehtë ndryshimet e stinës, por edhe do të përmirësoni shëndetin tuaj afatgjatë, duke hyrë në verë me më shumë energji dhe vitalitet.
Flaka
















