Shkup, falsifikoi mendimin e mjekëve me inteligjencë artificiale për të marrë terapi
Një dokument mjekësor i falsifikuar me ndihmën e inteligjencës artificiale është përdorur në përpjekje për të siguruar një terapi nga lista pozitive e barnave. Rasti është zbuluar rastësisht pas verifikimit të dokumentacionit nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Fondi e kishte kthyer mendimin konsiliar në Klinikën e Neurologjisë, pasi faksimili i njërit prej mjekëve nuk përputhej me atë që përdoret në klinikë.
Gjatë verifikimit, klinika konstatoi se falsifikimi ishte më i gjerë: ishin ndryshuar edhe vulat, emrat e disa neurologëve dhe emërtimi i vetë institucionit. Në dokument figuroi emërtimi “Instituti për Rehabilitim – Klinika Universitare për Neurologji”, institucion që nuk ekziston në regjistrin shëndetësor.
“Kur e pamë mendimin konsiliar, për të cilin menduam se ishte lëshuar nga klinika jonë, kuptuam se bëhej fjalë për një dokument të krijuar me inteligjencë artificiale dhe plotësisht të falsifikuar. Me shumë gjasë, këtë do ta tregojë edhe hetimi i mëtejshëm”, deklaroi drejtori i Klinikës së Neurologjisë, asist. dr. Jovan Bozhinovski.
Sipas informacioneve, personi në fjalë ka qenë prej vitesh pacient i Klinikës së Neurologjisë dhe, për shkak të diagnozës, kishte marrë edhe terapinë përkatëse. Për sigurimin e saj kërkohej një mendim konsiliar i nënshkruar dhe vulosur nga tre mjekë.
Rasti është raportuar të premten në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa pritet të hetohet mënyra se si është krijuar dhe përdorur dokumenti.
Drejtori Bozhinovski paralajmëroi se çështja mund të jetë më e gjerë sesa një rast i vetëm. Sipas tij, duhet të verifikohet nëse dokumente të ngjashme mund të jenë përdorur më herët për sigurimin e barnave, pushimeve mjekësore apo trajtimeve rehabilituese.
“Këtu shtrohet pyetja nëse mendime të tilla konsiliare kanë kaluar tashmë për barna, për pushime mjekësore apo për trajtim në banja. Problemi është serioz”, paralajmëroi Bozhinovski.
Rasti hap një shqetësim të ri për verifikimin e dokumenteve mjekësore të gjeneruara ose të manipuluara me teknologji të inteligjencës artificiale, veçanërisht kur ato përdoren për të përfituar shërbime apo terapi të financuara nga sistemi shëndetësor.
Në ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski sonte si mysafir në emisionin Top Tema në TV Tellma zbuloi se suplemente për potencë janë në qendër të aksionit i cili filloi sot në mëngjes kundër grupit kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të jashtëligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente medicinale. Të paktën 6 persona janë arrestuar në aksion, ndërsa ishin kryer edhe bastisje në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli në dhjetëra lokacione.
“Nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente. Rasti lidhet me një veprim të mëparshëm, i cili nuk lidhet me botoksin, ndërsa të gjitha së bashku lidhen me çrrënjosjen e kontrabandës dhe tregtisë së jashtëligjshme të ilaçeve dhe suplementeve dhe mjeteve të tjera që supozoj se janë toleruar për një kohë shumë të gjatë, dhe mund të çojnë në pasoja të mëdha të paparashikuara”, deklaroi Klekovski.
Ministri theksoi se nuk bëhet fjalë për suplemente të cilat mund të shkaktojnë vetëm pasoja financiare, por edhe shëndetësore, sepse bëhet fjalë për suplemente të jashtëligjshme.
“Në thelb, ato janë suplemente që përmbajnë bimë në kombinime të ndryshme që shiten me veti të ndryshme, të tilla si mbështetja e mashkullorisë, përmirësimi i punës së njërit, tjetrit ose një organi të tretë, të cilat nuk janë të regjistruara në vend për një qëllim të tillë dhe janë plotësisht të jashtëligjshme “, shtoi Klekovski. Gazeta Flaka










