Sulm masiv me dronë ndaj rafinerisë strategjike në Rusi, shpërthejnë zjarre
Një rafineri nafte në qytetin rus të Rjazanit është sulmuar mbrëmë me dronë. Në kanalet e Telegramit që përcjellin zhvillimet e luftës janë publikuar pamje të shpërthimeve dhe një zjarri të madh.
Sipas “The Kyiv Independent”, kanali Telegram Exilenova+ ka raportuar se dronët kanë arritur deri në zonën industriale të rafinerisë, një nga kapacitetet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi.
Në pamjet e publikuara në internet shihet aktiviteti i mbrojtjes ajrore ruse, pas së cilës pason një shpërthim i fuqishëm dhe një shkëlqim që ndriçon qiellin e natës. Në video të tjera shihen flakë dhe sasi të mëdha tymi që ngrihen mbi zonën përreth.
“Kyiv Independent” nuk ka mundur të verifikojë menjëherë autenticitetin e pamjeve, ndërsa mbetet e paqartë nëse rafineria ka pësuar dëme.
Guvernatori konfirmon sulmin
Guvernatori i rajonit të Rjazanit, Pavel Malkov, konfirmoi se zona ishte cak i një sulmi masiv me dronë gjatë natës, duke raportuar për zjarre në objekte industriale në qytet.
“Zjarre shpërthyen në objekte industriale në Rjazan”, deklaroi Malkov, duke shtuar se mbetjet e dronëve të rrëzuar kanë shkaktuar dëme në disa pjesë të rajonit.
Dëmtimi i linjave të transmetimit të energjisë elektrike la disa pjesë të Rjazanit pa energji. Në shkollën numër 58 u thyen dritaret, për çka autoritetet vendosën të ndërpresin mësimin, njofton Gazeta Flaka – Maqedoni.
Dëme janë raportuar edhe në ndërtesa banimi në rajonin e Rjazanit, ndërsa në rajonin e Ribnovit është përfshirë nga zjarri një objekt jo-banesor.
Sipas guvernatorit, një person është lënduar dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Malkov nuk specifikoi se cilat objekte industriale janë goditur dhe as nuk konfirmoi raportimet për dëmtimin e rafinerisë së naftës.
Rafineri me rëndësi strategjike
Rafineria e Rjazanit menaxhohet nga gjiganti shtetëror rus i naftës “Rosneft”. Objekti ka kapacitet vjetor për përpunimin e rreth 17 milionë tonëve naftë bruto dhe ndodhet rreth 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Në këtë rafineri prodhohen benzinë, naftë dizel, karburant për aeroplanë dhe derivate të tjera të naftës.
Gjatë muajve të fundit, dronët ukrainas e kanë sulmuar disa herë këtë rafineri. Pas sulmit të 15 tetorit, objekti thuhet se kishte ndërprerë funksionimin e njërës prej njësive kryesore për distilimin e naftës bruto, raportoi “Reuters”, duke iu referuar burimeve nga industria.
Ukraina po vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në përpjekje për të penguar furnizimin me karburant dhe për të dobësuar aftësinë e Moskës për të financuar luftën. Gazeta Flaka











