Si t’i lani siç duhet luleshtrydhet? Gabimi që shumica e njerëzve bëjnë çdo ditë
Luleshtrydhet janë ndër frutat më të preferuara gjatë pranverës dhe verës, por pak njerëz dinë se mënyra se si i lajnë ato mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre.
Për shkak të mënyrës së kultivimit, luleshtrydhet rriten pranë tokës dhe janë të ekspozuara ndaj papastërtive, baktereve dhe lagështisë. Për këtë arsye, ato shpesh trajtohen me pesticide për t’u mbrojtur nga dëmtuesit dhe për të ruajtur freskinë gjatë transportit dhe shitjes.
Ekspertët paralajmërojnë se luleshtrydhet e palara mirë mund të përmbajnë mbetje pesticide, baktere dhe mikroorganizma të dëmshëm. Edhe pse konsumimi i rastësishëm nuk paraqet rrezik të madh, përdorimi i përditshëm pa larje të duhur mund të ndikojë negativisht në shëndet, veçanërisht tek fëmijët dhe personat më të ndjeshëm.
Për të shmangur këto rreziqe, rekomandohet që luleshtrydhet të lahen me kujdes. Fillimisht, ato duhet të vendosen në ujë të ftohtë për disa minuta, pa u hequr kërcejtë, në mënyrë që të mos thithin ujë dhe të humbasin shijen. Më pas mund të shtohet pak uthull ose sodë buke për pastrim më të thellë.
Pas kësaj, ato duhet të shpëlahen mirë me ujë të rrjedhshëm dhe të thahen me kujdes. Kërcejtë duhet të hiqen vetëm në fund, për të ruajtur freskinë dhe strukturën e frutit.
Një nga gabimet më të zakonshme është larja e luleshtrydheve paraprakisht dhe ruajtja e tyre në frigorifer. Lagështia e tepërt përshpejton prishjen dhe rrit mundësinë e mykut. Për këtë arsye, këshillohet që ato të lahen vetëm para konsumimit.
Flaka










