Përfitimet e ecjes: Nga presioni i gjakut te sëmundjet kardiake, çdo hap ka vlerë
Mitit të “dhjetë mijë hapave në ditë” i ka ardhur koha të rivlerësohet. Ky numër, i cili ka origjinën në një fushatë marketingu japoneze të viteve 1960 për të promovuar një pedometër, nuk ka një bazë shkencore të fortë, por shpesh përdoret si objektiv i përditshëm për aktivitet fizik.
Sipas organizatës bamirëse britanike për ecje, The Ramblers, përfitimet e ecjes së shpeshtë, edhe në doza të vogla, nuk duhet nënvlerësuar. George Salmon, zëdhënës i organizatës, thotë se edhe një shëtitje e shkurtër rreth parkut mund të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe mirëqenien.
Studime të reja tregojnë se ecja për 30 minuta pesë herë në javë mund të ndihmojë në parandalimin e dhimbjeve të shpinës, ndërsa ndryshimi i ritmit të ecjes mund të rrisë djegien e kalorive deri në 20%, sipas një studimi të Universitetit Shtetëror të Ohajos.
Përveç humbjes së peshës, ecja ul rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe përmirëson shëndetin kardiovaskular. Studimet tregojnë se ecja me një ritëm mesatar prej 3–5 km/orë ul rrezikun e diabetit me 15% krahasuar me ata që ecnin më ngadalë. Përfitimet afatgjata përfshijnë uljen e rrezikut të sëmundjeve koronare dhe ngjarjeve kardiake, si dhe përmirësimin e presionit të gjakut dhe profileve të lipideve.
Shkencëtarët theksojnë gjithashtu se ecja kompenson pasivitetin e jetës sedentare, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe të sistemit kardiovaskular.
Flaka
















