Si të lehtësoni dhimbjen e dhëmbit me metoda natyrale
Dhimbja e dhëmbit është një problem i zakonshëm që shpesh shfaqet papritur dhe mund të jetë shumë shqetësues, sidomos gjatë natës. Ajo shkaktohet kryesisht nga bakteret në gojë që ushqehen me sheqerna dhe prodhojnë acide që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve.
Ekspertë të kujdesit oral dhe praktika popullore sugjerojnë disa mënyra natyrale që mund të ndihmojnë në lehtësimin e përkohshëm të dhimbjes:
Një nga metodat më të thjeshta është shpëlarja e gojës me ujë të ngrohtë me kripë, i cili ndihmon në reduktimin e inflamacionit dhe ënjtjes. Po ashtu, një përzierje e kripës me pak piper dhe ujë mund të përdoret si pastë për aplikim të përkohshëm në zonën e dhimbshme.
Hudhra njihet për vetitë e saj antibakteriale dhe përdoret duke u vendosur direkt në dhëmbin e prekur me pak kripë. Karafili është gjithashtu një zgjidhje e njohur natyrale që ndihmon në qetësimin e dhimbjes.
Xhenxhefili i përdorur si çaj për gargare mund të ketë efekt qetësues, ndërsa aplikimi i kubeve të akullit në zonën e faqes ndihmon në mpirjen e përkohshme të dhimbjes.
Megjithatë, këto metoda shërbejnë vetëm për lehtësim të përkohshëm dhe nuk zëvendësojnë vizitën te dentisti në rast dhimbjesh të vazhdueshme.
Flaka
















