Kur është koha më e mirë për të pirë kafenë? Shkenca jep përgjigjen
Pirja e kafesë në mëngjes është një rutinë e zakonshme për shumë njerëz, por ekspertët thonë se koha kur konsumohet ajo mund të ndikojë ndjeshëm në efektin e saj energjik.
Sipas neuroshkencëtarëve, niveli i hormonit kortizol, i cili lidhet me vigjilencën dhe reagimin mendor, luan rol kyç në mënyrën se si trupi reagon ndaj kafeinës. Kur kortizoli është në nivele të larta, efektet stimuluese të kafesë mund të jenë më të dobëta.
Ekspertët shpjegojnë se kortizoli arrin kulmin zakonisht midis orës 8:00 dhe 9:00 të mëngjesit, si dhe ka rritje të tjera gjatë ditës. Për këtë arsye, konsumimi i kafesë rekomandohet më së shumti në intervalin 9:30–11:30, kur niveli i kortizolit fillon të ulet dhe kafeina ka efekt më të fortë.
Disa studime sugjerojnë gjithashtu se një filxhan kafe i konsumuar në orët e pasdites, rreth 14:00–16:00, mund të ndihmojë në rritjen e vigjilencës gjatë periudhave të lodhjes.
Një metodë interesante e përmendur nga studiuesit është kombinimi i kafesë me një gjumë të shkurtër prej 15 minutash, i cili mund të rrisë ndjeshëm nivelin e përqendrimit dhe energjisë. Kjo ndodh sepse kafeina ndihmon në uljen e ndjesisë së përgjumjes duke bllokuar adenozinën në tru.
Flaka
















