Magnezi, minerali kyç për trupin sipas shkencëtarëve
Studiues nga Universiteti i Minnesotas, në punimin “Ushqimi si informacion – shembuj të rolit të ushqyesve që luajnë në organizëm”, kanë analizuar mënyrën se si lëndët ushqyese ndikojnë në funksionimin e organeve të ndryshme të trupit dhe në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Sipas studimit, vitamina dhe minerale të ndryshme luajnë role specifike në organizëm. Për funksionimin e sistemit imunitar janë të rëndësishme vitaminat A, E, B6, C, si dhe zinku, acidi folik, riboflavina, magnezi dhe seleni. Ndërkohë, sistemi nervor mbështetet nga natriumi, kaliumi, kalciumi, vitamina B12 dhe elementë të tjerë esencialë.
Shkencëtarët theksojnë se një nga mineralet më të rëndësishme është magnezi, i cili ndikon në shumë procese jetike si shëndeti i kockave, funksioni nervor, rregullimi i presionit të gjakut, kontrolli i sheqerit në gjak dhe shërimi i indeve.
Magnezi gjendet në ushqime si drithërat, arrat, farat, perimet jeshile, bishtajoret, peshku dhe produktet e qumështit, por niveli i tij në ushqime mund të ndikohet nga përmbajtja e tokës ku rriten kulturat.
Mungesa e magnezit mund të shkaktojë probleme shëndetësore si presion të lartë të gjakut, spazma muskulore, aritmi dhe lodhje të përgjithshme. Sipas ekspertëve, nevoja për këtë mineral rritet tek personat që janë nën stres, sportistët dhe gratë shtatzëna.
Studiuesit rekomandojnë kujdes në përdorimin e suplementeve të magnezit dhe këshillim me mjekun, pasi mbidozimi mund të sjellë efekte anësore si dobësi muskulore, presion të ulët të gjakut dhe probleme me frymëmarrjen.
Flaka
















