Szczęsny: Joan García është shumë më i mirë se unë, roli im është të mbështes atë
Wojciech Szczęsny ka bërë një deklaratë të fortë dhe shumë të sinqertë në lidhje me portierin e FC Barcelona, Joan García, duke pranuar se talenti spanjoll është aktualisht në një nivel më të lartë se ai.
Portieri polak u shpreh se te Barcelona sheh një të ardhme të sigurt në repartin defensiv dhe se roli i tij tashmë është të ndihmojë Joan Garcían, jo të rivalizojë me të.
“Është e çuditshme ta shoh dhe më rikthen në realitet, por kjo është hera e parë që luaj me një portier shumë më të mirë se unë”, deklaroi Szczęsny.
Ai bëri edhe një krahasim me Alisson Becker, duke thënë se kur luajti me brazilianin, ai ende nuk kishte arritur nivelin që ka sot.
“Alisson ishte i shkëlqyer, por ende nuk kishte arritur nivelin që arriti më vonë. Me Joan Garcían është krejtësisht ndryshe. Pozicioni i portierit te Barça është në duar shumë të sigurta”, shtoi ai.
Szczęsny pranoi gjithashtu se nuk ndodhet më në elitën europiane ku kishte qenë në vitet e mëparshme të karrierës.
“Është shumë më e lehtë për mua ta pranoj që dikush është thjesht më i mirë se unë. Puna ime është ta mbështes Joan Garcían, jo të konkurroj me të”, përfundoi portieri polak.
Deklaratat e tij janë vlerësuar nga tifozët për sinqeritetin dhe profesionalizmin, ndërsa rrisin edhe më shumë pritshmëritë për të ardhmen e Joan Garcías te Barcelona.
Flaka












