Kongresi i bashkimit në VLEN rezulton farsë politike – nuk ka regjistrim si parti deri në zgjedhjet e ardhshme

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Maj, 2026 11:31

Kongresi i bashkimit në VLEN rezulton farsë politike – nuk ka regjistrim si parti deri në zgjedhjet e ardhshme

Në emisionin Click Plus në TV21, kryetari i Lëvizja Besa, Bilall Kasami, ka pranuar se subjektet politike brenda koalicionit VLEN vazhdojnë të ekzistojnë formalisht si parti, për shkak të pengesave juridike që lidhen me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për partitë politike.

Në pyetjen e gazetarit Artan Nuhiu nëse Lëvizja Besa vazhdon ende të ekzistojë si parti edhe pas kongresit të “bashkimit”, Kasami dha një përgjigje jokoncize, duke deklaruar se “juristët dinë t’i komplikojnë gjërat që duhet të thjeshtëzohen”.

“Idéja fillestare ka qenë që të themelohet VLEN-i si parti dhe të mbyllen të gjitha partitë politike brenda koalicionit. Ai qëndrim është politik dhe ashtu do të ndodhë, por ka një problem formalo-juridik që ka të bëjë me të drejtat e subjekteve politike ekzistuese që lidhen me financimin e rregullt dhe paraqitjet në zgjedhje”, deklaroi Kasami në Click Plus.

Ai sqaroi se ligji aktual nuk njeh mundësinë e bashkimit të partive politike në një subjekt të vetëm dhe bartjen automatike të të drejtave tek partia e re.

“Ligji aktual, Kodi Zgjedhor por edhe Ligji për partitë politike, nuk njeh mundësinë e bashkimit të subjekteve politike në një parti dhe bartjen e të gjitha të drejtave të atyre partive tek subjekti i ri. Në këtë aspekt, formalisht juristët sugjerojnë që partitë ekzistuese që ishin në koalicionin VLEN të ekzistojnë deri në zgjedhjet e radhës, që të mund t’i shfrytëzojmë të gjitha ato të drejta”, tha Kasami.

Pas ndërhyrjes së gazetarit se kjo nënkupton që VLEN si parti do të themelohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme, Kasami u arsyetua duke thënë se procedurat për themelimin e VLEN-it tashmë kanë nisur.

Megjithatë, nga deklarata e tij kuptohet se deri atëherë, subjektet aktuale të koalicionit do të vazhdojnë të ekzistojnë juridikisht, ndërsa VLEN nuk do të mund të funksionojë plotësisht si parti e vetme e regjistruar në Regjistrin Qendror.

Juristi Gent Aliu vlerëson se, nisur nga deklaratat e bashkëkryetarit të VLEN-it, Bilall Kasami, “kongresi i bashkimit” i VLEN-it aktualisht ka më shumë efekt politik dhe simbolik sesa efekt të plotë juridik.

“Sipas vetë deklarimit të Kasamit, ekziston një problem formalo-juridik, sepse Ligji për Partitë Politike dhe Kodi Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut nuk e njohin shprehimisht institutin e bashkimit të disa partive politike në një subjekt të vetëm me bartje automatike të të drejtave juridike, financiare dhe zgjedhore. Kjo do të thotë se, juridikisht, partitë ekzistuese të koalicionit VLEN vazhdojnë të ekzistojnë si persona juridikë të veçantë”, deklaroi Aliu për Flaka.

Sipas tij, përderisa subjektet ekzistuese vazhdojnë të funksionojnë, mbajnë llogari bankare, financim publik, struktura partiake dhe të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje, atëherë nuk mund të flitet për “shkrirje” juridike të plotë të tyre.

“Në aspekt juridik, kongresi i mbajtur mund të konsiderohet si deklarim politik për bashkim, marrëveshje politike ndërmjet subjekteve ose nisje e procedurës për krijimin e një partie të re politike. Por ai vetvetiu nuk prodhon efekt juridik të shuarjes së partive ekzistuese, përderisa ato nuk çregjistrohen nga Regjistri Qendror sipas procedurave ligjore”, theksoi Aliu.

Ai shton se edhe vetë deklarata e Kasamit e konfirmon këtë realitet juridik, pasi subjektet ekzistuese do të vazhdojnë të funksionojnë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për shkak të të drejtave që burojnë nga Kodi Zgjedhor dhe financimi shtetëror.

“Kjo krijon një situatë të pazakontë politike dhe juridike, ku publikisht shpallet bashkimi në një parti të vetme, ndërsa juridikisht vazhdojnë të ekzistojnë disa parti të ndara. Prandaj, deri në regjistrimin zyrtar të VLEN-it si parti politike në Regjistrin Qendror dhe deri në çregjistrimin eventual të partive ekzistuese, VLEN në kuptimin juridik mbetet më shumë një platformë politike apo koalicion sesa një subjekt unik politik”, vlerëson juristi Gent Aliu.

Sipas tij, nëse zgjedhjet parlamentare mbahen në afatin e rregullt në vitin 2028, atëherë praktikisht subjektet aktuale të koalicionit mund të vazhdojnë të ekzistojnë paralelisht edhe për disa vite, pavarësisht retorikës politike për “shkrirje” ose “bashkim”.

Juristi Gent Aliu për Flaka sqaron se Ligji për Partitë Politike në Maqedoninë e Veriut nuk përmban ndalim të drejtpërdrejtë për anëtarësim në dy parti politike njëkohësisht, por një praktikë e tillë zakonisht ndalohet nga statutet e vetë partive politike.

“Ligji për Partitë Politike nuk e ndalon shprehimisht anëtarësimin e dyfishtë. Neni 2 e përkufizon partinë politike si organizatë vullnetare të qytetarëve, që nënkupton se anëtarësimi bazohet në vullnet të lirë dhe nuk specifikohet kufizim për një parti të vetme. Ndërkaq, neni 5 ndalon diskriminimin për shkak të anëtarësimit ose mosanëtarësimit në parti politike, ndërsa neni 6 u garanton partive lirinë dhe pavarësinë për të përcaktuar organizimin e tyre të brendshëm”, deklaroi Aliu.

Sipas tij, pikërisht neni 6 u jep partive të drejtën që përmes statuteve të tyre të ndalojnë anëtarësimin paralel në dy subjekte politike.

“Prandaj, juridikisht nuk kemi ndalim shtetëror të drejtpërdrejtë, por statutet e partive zakonisht e ndalojnë këtë praktikë. Për shembull, statuti i Aleancës për Shqiptarët rregullon mënyrën e anëtarësimit dhe obligimet statutare të anëtarëve”, theksoi ai.

Aliu shton se në praktikën politike në RMV, nëse një person aktivizohet publikisht në një parti tjetër, kandidon për subjekt tjetër ose mban funksione në dy parti njëkohësisht, kjo zakonisht konsiderohet shkelje statutare dhe mund të çojë në përjashtim nga partia ose humbje të funksioneve partiake.

Juristi Gent Aliu për Flaka vlerëson se në Maqedoninë e Veriut nuk ekziston ndalim ligjor i drejtpërdrejtë që një person të jetë anëtar në dy parti politike njëkohësisht, pasi Ligji për Partitë Politike nuk e parasheh shprehimisht një kufizim të tillë. Megjithatë, sipas tij, pothuajse të gjitha partitë politike në vend këtë çështje e kanë të rregulluar me statutet e tyre të brendshme.

“Statutet e partive kryesore shqiptare dhe maqedonase në shumicën e rasteve e ndalojnë anëtarësimin e dyfishtë. Për shembull, Statuti i BDI-së në nenin 8 përcakton qartë se në parti nuk mund të anëtarësohen persona që janë anëtarë të partive të tjera politike. Një formulim i ngjashëm ekziston edhe te VMRO-DPMNE, ku thuhet se anëtar mund të bëhet personi që nuk është anëtar i një partie tjetër politike”, deklaroi Aliu.

Ai shton se edhe LSDM, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja BESA dhe PDSH në praktikën e tyre statutare e trajtojnë anëtarësimin si ekskluziv dhe nuk lejojnë funksionim paralel në dy subjekte politike.

“Në praktikë politike, aktivizimi në dy parti zakonisht sjell masa disiplinore, përjashtim nga partia ose humbje të funksioneve partiake. Pra, edhe pse juridikisht nuk ka ndalim shtetëror të drejtpërdrejtë, statutet partiake e kufizojnë qartë një praktikë të tillë”, theksoi juristi Gent Aliu për Flaka.

Juristi Gent Aliu vlerëson se, nëse situata juridike dhe politike mbetet siç është aktualisht, atëherë në zgjedhjet e ardhshme VLEN vështirë se do të mund të paraqitet në fletëvotim si subjekt unik juridik, përveç nëse deri atëherë regjistrohet zyrtarisht si parti politike në Regjistrin Qendror.

“Nëse VLEN nuk regjistrohet si parti politike deri në shpalljen e zgjedhjeve, atëherë juridikisht nuk mund të figurojë si subjekt i vetëm në listat e votimit. Në atë rast, pjesëmarrja do të duhet të realizohet përmes njërit nga subjektet ekzistuese politike ose përmes një koalicioni zgjedhor të regjistruar sipas Kodit Zgjedhor”, deklaroi Aliu për Flaka.

Sipas tij, ekzistojnë disa skenarë juridikë të mundshëm.

“Një mundësi është që në fletëvotim të paraqitet vetëm sigla e një partie ekzistuese, për shembull e njërit prej subjekteve aktuale të koalicionit, ndërsa politikisht të përdoret emërtimi VLEN në fushatë. Mundësia tjetër është paraqitja si koalicion zgjedhor, ku zakonisht në listën zgjedhore figurojnë emrat ose siglat e partive pjesëmarrëse në koalicion”, sqaron Aliu.

Ai thekson se kongresi politik nuk mjafton për të krijuar automatikisht identitet juridik zgjedhor.

“Përderisa vetë Bilall Kasami pranoi se partitë ekzistuese duhet të vazhdojnë të funksionojnë për shkak të të drejtave zgjedhore dhe financiare, kjo nënkupton se ato mbeten bartëse juridike të pjesëmarrjes në zgjedhje. Prandaj, pa regjistrim formal të VLEN-it si parti politike, sigla në fletëvotim juridikisht nuk mund të jetë thjesht ‘VLEN’ si subjekt i vetëm”, theksoi juristi Gent Aliu.

Sipas tij, vetëm pas regjistrimit zyrtar të VLEN-it dhe pas zgjidhjes së çështjeve që lidhen me trashëgiminë juridike, financimin dhe të drejtat zgjedhore të partive ekzistuese, do të mund të krijohej një subjekt unik që do të garonte me siglën e vet në zgjedhje.

Juristi Gent Aliu, në pyetjen nëse VLEN mund të paraitet si koalicion dhe jo si parti e regjistruar, vlerëson se, në kuptimin juridik të Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, VLEN mund të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme vetëm në dy forma: si parti politike e regjistruar ose si koalicion zgjedhor i partive ekzistuese.

“Nëse VLEN nuk regjistrohet si subjekt i vetëm juridik deri në zgjedhje, atëherë forma e vetme ligjore e pjesëmarrjes mbetet koalicioni zgjedhor i partive që e përbëjnë atë. Kodi Zgjedhor e lejon qartë këtë mundësi, ku disa parti mund të garojnë së bashku nën një emër të përbashkët të koalicionit”, deklaroi Aliu për Flaka.

Sipas tij, në këtë rast, në fletëvotim mund të figurojë emri i koalicionit, ndërsa subjektet politike mbeten juridikisht të ndara.

“Edhe nëse përdoret një sigël e përbashkët politike si ‘VLEN’, juridikisht ajo do të ketë karakter koalicioni, jo partie të vetme, përderisa nuk përfundohet regjistrimi formal si subjekt unik në Regjistrin Qendror”, theksoi ai.

Juristi Gent Aliu vlerëson se, në aspektin juridik, VLEN aktualisht nuk ka statusin e një partie politike të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, por funksionon si platformë apo koalicion politik i disa subjekteve ekzistuese.

“VLEN nuk është subjekt juridik i veçantë i regjistruar si parti politike. Juridikisht, ai përfaqëson një bashkim politik të partive ekzistuese, të cilat vazhdojnë të kenë statusin e tyre të pavarur ligjor, strukturat organizative dhe të drejtat që burojnë nga Ligji për Partitë Politike dhe Kodi Zgjedhor”, deklaroi Aliu për Flaka.

Sipas tij, përdorimi i emrit VLEN në këtë fazë ka karakter politik dhe jo juridik.

“Përderisa nuk përfundohet regjistrimi formal në Regjistrin Qendror si parti e vetme, VLEN nuk mund të konsiderohet parti politike në kuptimin e plotë juridik. Ai mbetet një emërtim i përbashkët politik i subjekteve që veprojnë brenda tij”, theksoi juristi Gent Aliu.

Pra, në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, koalicioni VLEN vazhdon të funksionojë si strukturë politike e përbashkët, por pa u konsoliduar ende si subjekt i vetëm juridik, duke reflektuar një konfigurim kompleks ku liderët e partive përbërëse mbajnë njëkohësisht role të dyfishta.

Në këtë kuadër, Bilall Kasami, si lider i Lëvizja BESA, njëkohësisht mban edhe funksionin e bashkëkryetarit në VLEN. Ngjashëm, Izet Mexhiti, si lider i Lëvizja Demokratike, figuron gjithashtu si bashkëkryetar i këtij koalicioni. Ndërkohë, Bekim Sali, si përfaqësues i Alternativa, mban funksion drejtues brenda strukturës së përbashkët, duke u pozicionuar si sekretar i përgjithshëm në VLEN.

Në këtë konfigurim politik, VLEN paraqitet si platformë koordinuese, ku rolet partiake dhe ato të koalicionit mbivendosen, duke krijuar një model të funksionimit paralel mes subjekteve ekzistuese dhe strukturës së përbashkët politike.

Në diskursin publik, përmenden gjithashtu edhe figura dhe grupime që lidhen në mënyrë joformale me narrativat politike të rajonit, përfshirë Bekim Qokun, i cili shpesh referohet në kontekst të lidhjeve me diskursin e Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Mimoza Musën, e cila paraqitet në disa interpretime politike si pjesë e debatit rreth përfaqësimit brenda Aleanca për Shqiptarët, megjithëse statusi i saj institucional mbetet i kontestuar në raport me regjistrimet formale partiake.

Në këtë kuptim, VLEN mbetet një model politik në tranzicion: i unifikuar në diskurs dhe fushatë, por i fragmentuar në aspektin juridik dhe organizativ, duke reflektuar sfidën e harmonizimit mes strukturave ekzistuese partiake dhe një identiteti të ri politik të përbashkët. Gazeta Flaka

244
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Maj, 2026 11:31
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
244
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?