Pse disa njerëz ndihen të përgjumur pasi pinë kafe?
Kafeja njihet si pija që ndihmon njerëzit të ndihen më energjikë dhe më të përqendruar, por tek disa persona ndodh e kundërta — ata ndihen më të lodhur dhe të përgjumur pas konsumimit të saj.
Ekspertët shpjegojnë se kjo mund të lidhet me tolerancën ndaj kafeinës. Personat që pinë kafe rregullisht mund të zhvillojnë rezistencë ndaj efekteve të saj stimulues, duke bërë që trupi të ketë nevojë për sasi më të mëdha kafeine për të qëndruar vigjilent.
Sipas studimeve, organizmi me kalimin e kohës mund të rrisë receptorët e adenozinës — substancë që lidhet me ndjenjën e lodhjes — duke ulur efektin energjik të kafesë. Përveç kësaj, edhe faktorët gjenetikë luajnë rol të rëndësishëm, pasi disa njerëz janë natyrshëm më tolerantë ndaj kafeinës.
Në raste të tilla, personi mund të vazhdojë të ndihet i lodhur gjatë ditës pavarësisht konsumimit të kafesë, duke krijuar përshtypjen se vetë kafeja po shkakton përgjumje.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se metabolizmi i kafeinës ndryshon nga një individ te tjetri. Rreth 99% e kafeinës absorbohet brenda 45 minutave, ndërsa efektet maksimale arrihen pas 1 deri në 2 orësh. Organizmit i duhen rreth 2.5 deri në 5 orë për të reduktuar përgjysmë sasinë e kafeinës në trup.
Tek personat që e metabolizojnë shpejt kafeinën, efektet energjike mund të zhduken më herët, duke bërë që lodhja të rikthehet shpejt pas pirjes së kafesë.
Flaka
















