Tetovë: Emërtimi i rrugëve shtyhet sërish, lista prej 222 emrash ende nuk është përfunduar
Komisioni për emërtimin e rrugëve në Komunën e Tetovës nuk ka arritur ta përmbyllë procesin brenda afatit të planifikuar. Mbledhja përfundimtare e grupit të punës, e paraparë për 20 shtator, nuk është mbajtur.
Kryetari i komisionit, Albi Qamili, thotë se vonesa lidhet me nevojën për kontrolle shtesë juridike dhe gjuhësore, me qëllim që lista përfundimtare të mos përballet me pengesa gjatë procedurave të mëtejshme.
“Është e vërtetë se ne kemi caktuar një plan dinamik për ecurinë e procesit të grupit të punës për emërtimin e rrugëve, por duhet të kemi parasysh delikatesën e këtij procesi”, deklaroi Qamili.
Ai tha se komisioni ka angazhuar edhe ekspertë që kanë përvojë nga proceset e ngjashme në Komunën e Çairit dhe Qytetin e Shkupit, duke vlerësuar se është më e rëndësishme që lista të përfundojë në përputhje me kërkesat ligjore sesa të respektohet me çdo kusht afati fillestar.
Sipas Qamilit, lista e kompletuar pritet të përfundojë deri më 30 shtator, kur është planifikuar edhe mbledhja e radhës e grupit të punës.
Pas përfundimit, lista do t’u nënshtrohet kontrolleve nga ekspertët e fushës dhe më pas do t’i përcillet Këshillit Komunal për miratim, ndërsa procedura do të vazhdojë edhe me Qeverinë, e cila duhet të japë miratimin përfundimtar.
Deri tani, në Tetovë janë konfirmuar 222 emra për rrugët, prej të cilëve 77 në fazën e parë dhe 145 në fazën e dytë.
Procesi i riemërtimit të rrugëve në Tetovë pritet të sjellë ndryshime në një numër të madh të emërtimeve ekzistuese, ndërsa lista përfundimtare ende nuk është bërë zyrtare. Gazeta Flaka










