Julián Álvarez ndez tensionet mes dy gjigantëve spanjoll
Tensionet mes Barcelonës dhe Atlético Madridit janë rritur ndjeshëm për shkak të situatës që lidhet me sulmuesin argjentinas Julián Álvarez.
Sipas raportimeve të fundit, drejtuesit e Barcelonës besojnë se Atlético po e ekzagjeron çështjen e kontakteve të klubit katalanas me lojtarin. Nga këndvështrimi i Barcelonës, bisedat me Álvarezin kishin për qëllim vetëm të kuptonin nëse futbollisti ishte i hapur për një transferim të mundshëm në “Camp Nou”.
Klubi katalanas argumenton se veprime të ngjashme janë bërë edhe nga Atlético në të kaluarën. Barcelona kujton se trajneri Diego Simeone kishte kontaktuar personalisht Julián Álvarezin disa herë gjatë vitit 2024 për ta bindur t’i bashkohej skuadrës madrilene, diçka që vetë lojtari e kishte konfirmuar më vonë.
Po ashtu, në Barcelonë konsiderojnë se raportimet nga Argjentina, sipas të cilave Álvarez po kërkon një shtëpi në qytetin e Barcelonës, janë një tregues i qartë se futbollisti është i interesuar për një transferim të mundshëm.
Burime pranë klubit katalanas i kanë cilësuar ankesat e Atléticos si të padrejta dhe hipokrite, duke theksuar se edhe klubi madrilen ka kontaktuar lojtarë të skuadrave të tjera në të kaluarën, përfshirë interesimin për Marc Cucurellan dhe João Gomes.
Situata mbetet e hapur, ndërsa emri i Julián Álvarez vazhdon të jetë një nga më të përfolurit në tregun e transferimeve të kësaj vere.
Flaka
















