Edon Zhegrova zhgënjen te Juventusi, e ardhmja e tij në pikëpyetje
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventus po bëhet gjithnjë e më e paqartë, pas një sezoni zhgënjyes për futbollistin dardan, i cili nuk ka arritur të lërë gjurmë në Serie A.
Zhegrova u transferua te klubi torinez verën e kaluar për rreth 14.3 milionë euro, me pritshmëri të larta nga drejtuesit dhe tifozët bardhezi. Megjithatë, sezoni i tij nuk ka rezultuar aspak në nivelin e pritur, pasi nuk ka shënuar asnjë gol dhe nuk ka regjistruar asnjë asist gjatë kampanjës.
Për Juventusin, një situatë e tillë është e pazakontë, pasi prej më shumë se 15 vitesh nuk kishte ndodhur që një futbollist ofensiv krahu të mbyllte sezonin pa kontribut direkt në gola.
Ndikim të madh në paraqitjet e tij ka pasur edhe mungesa e gjatë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila e la jashtë fushave për rreth nëntë muaj. Kjo ka bërë që përshtatja e tij me ritmin e futbollit italian të jetë më e vështirë se sa pritej.
Gjatë sezonit, Zhegrova ka pasur edhe disa momente vendimtare të humbura, përfshirë një penallti të humbur në ndeshje të rëndësishme dhe disa raste të pasuksesshme që mund të kishin ndryshuar rrjedhën e takimeve. Këto episode kanë ndikuar në vlerësimin e tij brenda klubit dhe kanë shtuar dyshimet për rolin e tij në të ardhmen.
Në këtë situatë, aventura e tij te Juventusi mund të jetë drejt fundit, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për futbollistin dardan.
Flaka
















