“Julián dëshiron Barcelonën” – Laporta konfirmon negociatat me Atlético Madrid
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar për herë të parë publikisht se klubi katalanas ka dërguar një ofertë zyrtare për sulmuesin argjentinas Julián Álvarez, duke zbuluar gjithashtu se lojtari ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u transferuar në “Camp Nou”.
Laporta bëri të ditur se ka biseduar personalisht me drejtuesit e Atlético Madrid, duke u shpjeguar atyre ofertën e Barcelonës.
“Ne dërguam një ofertë dhe e dimë se lojtari ka dashur prej kohësh të vijë te Barcelona, që nga koha kur ishte te Manchester City”, deklaroi presidenti blaugrana.
Sipas tij, drejtuesit e Atlético Madrid i kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend ta shesin Álvarezin, pasi aktualisht nuk kanë një zëvendësues të denjë në repartin ofensiv.
“Ata na thanë se nuk kanë plan ta shesin Julián Álvarez, sepse nuk kanë alternativë në sulm. U thashë se nëse gjejnë një alternativë, oferta jonë mbetet në fuqi”, shtoi Laporta.
Presidenti i Barcelonës theksoi se klubi nuk do të presë pafundësisht vendimin e Atlético Madrid, por oferta do të mbetet e vlefshme për aq kohë sa drejtuesit katalanas e konsiderojnë të arsyeshme.
Nga ana tjetër, presidenti i Atlético Madrid, Enrique Cerezo, mohoi se klubi ka marrë oferta për Álvarez dhe ritheksoi qëndrimin e tij.
“Nuk kemi marrë asnjë ofertë. Edhe nëse do të kishim, Julián nuk është në shitje”, deklaroi Cerezo.
Saga e transferimit të sulmuesit argjentinas mbetet e hapur, por për momentin Atlético Madrid vazhdon të refuzojë çdo mundësi largimi të një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm.
Flaka
















