Mario Suárez për Álvarez: “Tani është radha e tij, duhet të fitojë respektin e tifozëve”
Ish-futbollisti i Atlético Madridit, Mario Suárez, ka folur për situatën e Julián Álvarez dhe ka bërë thirrje që sulmuesi argjentinas të tregojë profesionalizëm dhe të rikthejë marrëdhënien e mirë me klubin dhe tifozët.
Suárez theksoi se tani është radha e Álvarez për të reaguar dhe për të fituar sërish respektin e tifozëve, klubit dhe bashkëlojtarëve, pas situatës së krijuar rreth të ardhmes së tij.
“Tani është radha e Juliánit. I takon atij të fitojë respektin e tifozëve që e kanë mbështetur gjithmonë, të klubit, i cili gjithashtu e ka mbështetur publikisht, dhe të bashkëlojtarëve”, u shpreh Suárez.
Ai pranoi se situata nuk është e lehtë për argjentinasin, veçanërisht pasi ai do të vazhdojë të jetë pjesë e një skuadre ku, sipas Suárez, nuk dëshironte të qëndronte.
Megjithatë, ish-lojtari i Atlético Madridit beson se mënyra më e mirë për të lënë pas këtë situatë është që Álvarez të flasë përmes paraqitjeve në fushë.
“Pavarësisht nëse do të kërkojë falje publikisht apo jo, mënyra më e mirë për ta rregulluar është duke dhënë shembullin, duke qenë profesionist, duke dhënë gjithçka për atë fanellë dhe duke shënuar shumë gola”, deklaroi ai.
Suárez gjithashtu shpreson që Álvarez të rikthehet të jetë i lumtur dhe të shijojë sërish futbollin me Atlético Madridin.
“Kur Julián është në formën e tij më të mirë, ai është një nga më të mirët dhe i sjell shumë skuadrës së Atléticos”, shtoi Suárez.
Ai e vlerësoi lart edhe skuadrën e Atlético Madridit pas përforcimeve të reja, duke thënë se nëse Álvarez rikthehet në nivelin e tij më të mirë, kjo mund të jetë skuadra më e fortë e klubit në vitet e fundit.
“Tani varet nga Julián. Klubi e ka mbështetur publikisht, trajneri e ka mbështetur dhe do t’ia bëjnë gjërat më të lehta. Tani varet nga ai”, përfundoi Suárez.
Flaka










