Lefkov e çon përplasjen për narkotikët në Prokurori: “Tani le të flasin institucionet”
Përplasja publike mes deputetit të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, dhe Jon Fërçkovskit po kalon nga deklaratat dhe rrjetet sociale në institucionet e drejtësisë.
Lefkov njoftoi se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj Fërçkovskit dhe personave të tjerë, duke kërkuar hetim lidhur me fotografitë e publikuara në opinion dhe deklaratat e bëra ndaj tij.
Deputeti mohoi kategorikisht se ka përdorur narkotikë.
“Nuk kam dobësi as ndaj alkoolit, as ndaj narkotikëve. Asnjëherë nuk kam përdorur substanca narkotike dhe kjo është fakt”, deklaroi Lefkov.
Sipas tij, institucionet duhet të përcaktojnë nëse në këtë rast ekzistojnë elemente të veprave penale të parashikuara në nenet 215 dhe 216 të Kodit Penal, si dhe nëse ka bazë për zbatimin e nenit 364 për mosraportim të një vepre penale.
Lefkov akuzoi gjithashtu Fërçkovskin dhe persona që, sipas tij, janë rreshtuar përkrah kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, se po përdorin shpifje dhe akuza në përpjekje për t’u rikthyer në pushtet.
“Ju u morët me shpifje dhe akuza, duke menduar se kështu do të ktheheni në pushtet dhe do të vazhdoni të përdorni narkotikë nëpër zyra. Këtë nuk do t’jua lejojë populli, Jon, jo unë”, tha Lefkov.
Ai tha se përballja nuk duhet të zhvillohet më vetëm në rrjetet sociale, por të kalojë në duart e institucioneve.
“Me këtë Qeveri nuk ka lojëra. Nëse institucionet konstatojnë se është kryer vepër penale dhe se ka persona përgjegjës, do të ketë përgjegjësi para ligjit”, deklaroi Lefkov.
Me kallëzimin e paralajmëruar, deputeti kërkon që fotografitë, deklaratat dhe akuzat e ndërsjella të bëhen objekt i verifikimit institucional, duke e zhvendosur përplasjen nga arena politike dhe mediatike në procedurë para organeve kompetente. Gazeta Flaka










