Alarmante: 1.144 gra viktima të dhunës në familje, MPB publikon statistikat
MPB-ja ka regjistruar 1.337 vepra penale të lidhura me dhunën në familje gjatë periudhës janar–shtator 2026. Në mesin e 1.433 viktimave të evidentuara, 1.144 janë gra. Sociologu Driton Zenku vlerëson se dhuna në familje mbetet një problem serioz shoqëror, që kërkon reagim institucional dhe ndryshim të vetëdijes qytetare.
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet serioze sociale në Maqedoninë e Veriut. Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për periudhën janar–shtator 2026 dëshmojnë për përmasa shqetësuese të këtij fenomeni, me mijëra raste të regjistruara dhe një numër të madh viktimash, kryesisht gra.
Sipas statistikave të MPB-së, gjatë nëntë muajve të parë të vitit në territorin e vendit janë regjistruar 1.337 vepra penale që lidhen me dhunën në familje, për të cilat janë raportuar 1.388 autorë të dyshuar, prej të cilëve 1.278 burra dhe 110 gra.
Në këto raste janë evidentuar gjithsej 1.433 viktima, përkatësisht 1.144 gra dhe 289 burra.
Përveç veprave penale, gjatë së njëjtës periudhë janë regjistruar edhe 191 kundërvajtje të ndërlidhura me dhunën në familje. Për këto raste janë raportuar 228 autorë, prej të cilëve 196 burra dhe 32 gra, si dhe 221 viktima, përkatësisht 126 burra dhe 95 gra.
Shifrat bëhen edhe më shqetësuese kur përfshihen ankesat e evidentuara nga policia. Në periudhën janar–shtator janë regjistruar 3.869 ankesa për dhunë në familje, me 3.971 autorë të raportuar, prej të cilëve 3.090 burra dhe 881 gra.
Në kuadër të këtyre ankesave janë evidentuar 3.961 viktima, nga të cilat 2.567 gra dhe 1.394 burra.

Zenku: Dhuna në familje nuk është çështje private, por problem shoqëror
Duke komentuar fenomenin nga këndvështrimi sociologjik, sociologu Driton Zenku thekson se dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si një çështje private që u përket vetëm anëtarëve të familjes, por si një problem shoqëror që kërkon përgjegjësi dhe reagim të përbashkët.
Sipas këtij vlerësimi, normalizimi i dhunës, heshtja e viktimave, varësia ekonomike dhe frika nga pasojat e denoncimit janë ndër faktorët që mund të ndikojnë në vazhdimësinë e këtij fenomeni.
“Dhuna në familje nuk është problem që zgjidhet duke e mbajtur të fshehur. Heshtja nuk e mbron familjen, por shpesh e mbron dhunuesin. Është e domosdoshme që shoqëria të ndërtojë një kulturë ku denoncimi i dhunës nuk shihet si turp apo tradhti ndaj familjes, por si një akt përgjegjësie dhe mbrojtjeje të dinjitetit njerëzor”, është një nga mesazhet që duhet të përcjellë trajtimi sociologjik i kësaj problematike.
Zenku vlerëson se krahas ndëshkimit të autorëve, rëndësi të veçantë kanë parandalimi, edukimi, mbështetja psikologjike dhe sociale e viktimave, si dhe funksionimi efikas i institucioneve përgjegjëse.
MPB: Dhuna duhet të denoncohet, jo të heshtet
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të mos heshtin dhe të mos e fshehin dhunën në familje, por çdo rast ta raportojnë me kohë.
Sipas MPB-së, viktimat e dhunës në familje, por edhe të gjithë personat që kanë informacione për raste të tilla, mund t’i drejtohen stacionit më të afërt policor ose të telefonojnë në numrat 112 dhe 192.
Mesazhi i institucioneve është i qartë: denoncimi në kohë është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e pasojave të mëtejshme të dhunës në familje. Gazeta Flaka










