Katër persona nën hetim për grup kriminal, fajde, zhvatje dhe pastrim parash në Maqedoninë e Veriut
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim ndaj katër personave, të dyshuar për krijimin e një grupi kriminal që nga viti 2021, i cili dyshohet se ka zhvatë para përmes kërcënimeve, ka shfrytëzuar persona në vështirësi financiare dhe ka pastruar paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër personave, për të cilët ekziston dyshimi se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal, duke kryer veprime të pastrimit të parave dhe zhvatjes.
Për tre nga të dyshuarit, gjatë ditës së sotme, Prokuroria i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Personi i katërt, sipas Prokurorisë, prej një periudhe të caktuar ndodhet jashtë vendit.
Sipas hetimeve, grupi ishte formuar nga i dyshuari i parë, një banor i Kumanovës, dhe kishte vepruar për një periudhë të gjatë, që nga viti 2021. Anëtarët e grupit dyshohet se përmes kërcënimeve të rënda u kanë marrë para personave të dëmtuar, duke shfrytëzuar kryesisht varësinë e tyre financiare pas marrjes së huave.
Huaja prej 4.000 eurosh u shndërrua në presion dhe kërcënime
Një nga rastet e përshkruara nga Prokuroria ka të bëjë me një grua, e cila kishte kërkuar hua prej 4.000 eurosh nga i dyshuari kryesor. Sipas marrëveshjes gojore, ajo duhej t’i kthente paratë brenda një muaji, me kamatë prej 2.500 eurosh.
Edhe pse gruaja e kishte kthyer të gjithë shumën e dakorduar, i dyshuari më pas i kishte kërkuar që llogarinë e saj bankare ta përdorte për të qarkulluar para të përfituara nga zhvatja.
Pas refuzimit të saj, ai dyshohet se kishte filluar ta kërcënonte, duke kërkuar që automobili i saj të vendosej si peng për borxhe fiktive.
Me urdhër të të dyshuarit ishte përgatitur një kontratë fiktive për shitblerjen e automjetit, kinse si garanci për një hua të pretenduar. Gjithashtu, ishte hartuar edhe një kontratë tjetër fiktive për hua në vlerë prej 1.000.000 denarësh.
Në këto dokumente, të dyshuarit dyshohet se kishin falsifikuar nënshkrimin e gruas si huamarrëse dhe, pa dijeninë e saj, i kishin vërtetuar te noteri.
Noteri dyshohet për punë të pandërgjegjshme në detyrë
Në këtë rast është përfshirë edhe një noter, i cili dyshohet se ka lejuar vërtetimin e dokumenteve të rreme.
Për të është dorëzuar në gjykatë propozim për caktimin e masave të kujdesit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të punës së pandërgjegjshme në shërbim.
Duke u mbështetur në kontratat e falsifikuara, anëtarët e grupit dyshohet se kanë vazhduar t’i bëjnë presion gruas që t’ua dorëzonte automjetin dhe të shlyente borxhin e pretenduar.
Si rezultat i dokumentacionit të përgatitur, pronësia e automjetit ishte transferuar në emër të njërit prej të dyshuarve, ndërsa gruaja më pas ishte detyruar të paguante edhe borxhin e pretenduar në para.
Shfrytëzuan edhe një person që kishte marrë para për shërimin e bashkëshortes
Një tjetër rast i përmendur në hetimet e Prokurorisë ka të bëjë me një person, i cili gjatë vitit 2021 kishte marrë në dy raste nga 180.000 denarë hua prej të dyshuarit që dyshohet se organizonte grupin.
Paratë i nevojiteshin për trajtimin mjekësor të bashkëshortes së tij.
Megjithëse, sipas marrëveshjeve të huasë, ai i kishte kthyer mjetet financiare, të dyshuarit vazhdonin t’i kërkonin pagesa shtesë në emër të kamatës.
Duke shfrytëzuar varësinë e tij financiare, ata dyshohet se e kishin detyruar ta vinin në dispozicion llogarinë e tij bankare për transferimin e shumave të mëdha të parave të përfituara nga zhvatja, duke i paraqitur ato si hua formale dhe më pas duke i tërhequr në para të gatshme.
Hetimet për këtë rast po i zhvillon Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa për tre të dyshuarit është kërkuar paraburgim dhe për noterin masa kujdesi. Gazeta Flaka










