Orët vendimtare, qindra shqiptarë po qëndrojnë në Hagë – VIDEO
Pak metra larg Gjykatës Speciale, qindra shqiptarë janë mbledhur sonte në përkrahje të krerëve të UÇK-së, vendimi për të cilët do të jepet nesër.
Po aty, sonte është vendosur “Ora e Pritjes”, si e fundit përpara vendimit të madh.
Nesër, 16 shtator 2026, aktgjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë shpallet në orën 10:00 të mëngjesit, sipas orës së Hagës.
Kjo është ora 10:00 edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të treja janë në të njëjtën zonë kohore atë datë.
Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet online në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze.
Pas më shumë se katër vitesh proces gjyqësor në Hagë, nesër, më 16 shtator, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar zyrtarisht se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet të mërkurën në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.
Katër ish-drejtuesit e UÇK-së përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgim të paligjshëm, torturë, vrasje dhe zhdukje të detyruar. Prokuroria ka kërkuar dënime me nga 45 vite burgim për secilin, ndërsa mbrojtja ka kërkuar lirimin e plotë të tyre.
Tashmë sytë janë drejtuar nga Haga, ndërsa në Kosovë pritet me tension dhe interes të madh momenti kur trupi gjykues do të shpallë fatin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, në një vendim që pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kosovën në vitet e fundit.










