Osmani: Amerikanët dëshmuan në mbrojtje të Thaçit, ministrat e VLEN-it në anën e kundërt të historisë
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për vendimin që pritet të shpallet.
Osmani ka përmendur rolin e disa prej figurave amerikane që kanë dëshmuar në proces, duke e lidhur këtë me qëndrimin e ministrave shqiptarë të VLEN-it në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
“Wesley Clark, James Rubin e Christopher Hill vijnë nga Uashingtoni për të dëshmuar në mbrojtje të Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ndërkohë, ministrat e VLEN-it rreshtohen në anën e kundërt të historisë”, ka shkruar Osmani.
Ai e ka mbyllur reagimin me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj VLEN-it, duke thënë: “Nuk paska fund e keqja e tyre”.
Reagimi i Osmanit vjen në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Deklaratat e tij janë raportuar edhe nga mediat kosovare.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, është shprehur se për procesin në Hagë “nuk duhet të jetë rruga, politika apo emocionet gjykatës”, duke theksuar se vendimin do ta japë gjykata. Gazeta Flaka










