Në një qytet të vogël, fëmijëve iu ndalua përdorimi i telefonave – ky është rezultati pas një viti
Çdo prind e di se sa e vështirë është t’i frenosh fëmijët të mos përdorin celularin dhe shumë hoqën dorë, ngrenë duart duke menduar se “beteja” është e humbur përgjithmonë.
Në një qytet irlandez, megjithatë, situata është ndryshe. Pothuajse i gjithë komuniteti prej 22 mijë banorësh në Greystones dhe fshatin fqinj, Delgani, ka vendosur tua ndalojë telefonat fëmijëve nën 12 vjeç – jo vetëm në shkolla, por edhe në shtëpi.
“Kam marrë telefonata nga Australia, erdhën ekipe televizive nga Amerika, Franca, Skandinavia”, tha Rachel Harper, drejtoreshë e Shkollës Kombëtare “Shën Patriku”, e cila drejtoi nismën e pazakontë.
Greystones erdhi në qendër të vëmendjes së mediave në mesin e vitit 2023, kur shumica e banorëve ranë dakord të ndalonin fëmijët të përdornin telefonat.
“Kemi pasur një situatë alarmante. Prindërit thanë se fëmijët po nervozoheshin sepse nuk kishin telefona. Çfarë mund të bënin veçse të dorëzoheshin”, tha Harper.
Ajo tregon se gjatë karrierës së saj 12-vjeçare ka parë me sytë e saj sesi teknologjia ndikon tek më të rinjtë.
“Ne nuk lejuam telefona në shkollë. Fillova të dalloja tetëvjeçarët që ishin shumë më të vetëdijshëm. Disa vajza kishin aplikacione për numërimin e kalorive. Fëmijëria e tyre po shkurtohej gjithnjë e më shumë”, pohoi drejtoresha.
Fëmijë të tjerë i treguan asaj për influencuesit që i frymëzojnë, në vend të prindërve të tyre, shton ajo.
Të gjitha sa më sipër, duke përfshirë “presionin” ndaj baballarëve dhe nënave për të blerë pajisje celulare për fëmijët e tyre, e shtynë Rachel Harper të reagojë, raporton dailymail.
“Një shkollë e futi kufizimin në baza vullnetare dhe mendova se duhet të përfshihemi të gjithë. Unë shkrova një letër dhe u shpjegova prindërve se ne po promovojmë përmirësimin e më të vegjëlve”, shtoi ajo.
Drejtoresha thekson se reagimet kanë qenë të pabesueshme. Jo vetëm që nxënësit e shkollës së saj pushuan së interesuari për telefonat, por trendi u përhap në shtatë shkolla të tjera fillore.
“Fëmijët nuk u kërkonin më prindërve t’u blinin celularë, madje disa ua kthenin! Ishte një inkurajim i madh”, pohoi Harper.
Ajo shton se shkolla “Shën Patriku” nuk e refuzon teknologjinë, sepse përdorin tableta në klasa dhe flasin për zhvillimin e vrullshëm.
“Ne nuk jemi kundër teknologjisë, ajo është pjesë e jetës sonë. Bëhet fjalë për fëmijët që përgatiten dhe pajisen në mënyrë adekuate për t’u përballur me përgjegjësitë që sjell teknologjia”, shtoi ajo.
Drejtoresha thotë se me nxënësit po diskutohet për përdorimin e pajisjeve në mënyrë të arsyeshme.
“Ne besojmë se vetëm pasi të mbushin moshën 12 vjeç, ata mund të merren me përgjegjësi me gjërat që sjellin telefonat”, deklaroi drejtoresha.
Pas më pak se një viti, nisma ka sjellë rezultate të shkëlqyera.