Dora që jep, nuk thahet kurrë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 20:25

Dora që jep, nuk thahet kurrë

Detyra për të mbrojtur jetën dhe integritetin fizik të atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, përfshirë dhe të drejtën e refugjatëve që të mos i kthejmë prapa në zonë lufte apo në vend ku jeta e tyre është në rrezik, janë pjesë e parimeve të Konventës së Gjenevës e vitit 1951, dhe Deklaratës universale e të drejtave të njeriut, dokument që ekziston që 75 vite

Nga Gabriel Gualano de Godoy

Kam kaluar gati gjysmën e jetës sime duke punuar për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët në disa vende të botës, përfshirë dhe në një vend pjesë e emergjencës së krizës në Sudan. Në fund të vitit 2023, 10.8 milionë sudanezë ishin te zhvendosur. Pas këtyre shifrave janë qenie njerëzore si ju dhe unë, me të cilët kisha nderin të punoj, por edhe për ata. Megjithatë, ndryshe nga ne, ata të cilëve u ndihmoja për të gjetur strehim të përkohshëm në një vendbanim të largët refugjatësh në Afrikë, shpesh nuk kanë mundësinë të shfaqin talentin e tyre, dhe të kthehen në shtëpi tek familjet e tyre pas rutinës ditore.

Sikur të gjithë njerëzit nën mandatin e UNHCR-së të jetonin në një vend, do të përbënin vendin e 12-të në botë për nga numri i banorëve. Sot, mbi 120 milionë njerëz në mbarë botën janë të zhvendosur me dhunë, gjë që pasqyron numrin në rritje të konflikteve të reja dhe arsyeve për konflikt, si dhe pasqyron dështimin tonë të përbashkët për të gjetur zgjidhje nga krizat e kahershme në kontinente të ndryshme, përfshirë dhe Evropën.

Sa kohë duhet të kalojë akoma, që shkaqet kryesore të zhvendosjes së dhunshme të ndalen, ndërsa kushtet për paqe dhe barazi të janë prioritet? Sot, kur ne akoma nuk jemi në gjendje të kuptojmë përgjigjen praktike dhe përballemi me realitetin e zymtë ku jemi të detyruar t’i përgjigjemi sfidës më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore, duhet t’ia përkujtojmë njëri tjetrit obligimin e përbashkët që kemi për humanizëm. Secili shtet mund të jetë nikoqir i azilkërkuesve në territorin e vet. Kur kjo të ndodhë, mund të mendojmë për të kaluarën tonë dhe të kujtojmë se shumë nga paraardhësit dhe të afërmit tanë edhe ata vetë ishin dikur refugjatë, edhe atë jo aq kohë më parë.

Azilkërkuesit dhe refugjatët arrijnë në një shtet duke sjellë me vete përvojat e tyre të jetës, si dhe aftësitë dhe aspiratat e tyre për të ndërtuar një të ardhme në siguri dhe duke qenë krenarë. Pasi kam shërbyer në Brazil, Kostarikë, Meksikë, Republikën Dominikane dhe Ugandë, mund të dëshmoj se personat e zhvendosur me dhunë janë vlerë shtesë të cilët pasurojnë vendet nikoqire si dhe ekonominë e vendit. Këtë po e shoh edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, ku iu është dhënë mbrojtje e përkohshme 43 refugjatëve nga Ukraina. Kam takuar njerëz të guximshëm, të zgjuar dhe të talentuar, dhe është detyrë e jona e përbashkët t’i sigurojmë ata që shpresat e tyre nuk janë lënë pas shpine dhe nuk harrohen.

Më 20 qershor u shënua Dita Botërore e Refugjatëve, mundësi për të parë guximin, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen e miliona refugjatëve. Është dita kur vërtetojmë sërish detyrën tonë të mbështesim dhe afrojmë ata të cilët u detyruan të largohen nga vendet e tyre për shkak të konflikteve, përndjekjes dhe shkeljeve së të drejtave të tyre njerëzore. T’i njohim dhe t’i pranojmë refugjatët nuk është vetëm imperativ moral, por edhe detyrim ndërkombëtar sipas ligjit ndërkombëtar. Maqedonia e Veriut, 30 vjet më parë, ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara të vitit 1951 për Refugjatët. Ky traktat ofron mjete ligjore për Qeveritë që të sigurojnë të drejtën e azilit si dhe të drejtat në azil.

Detyra për të mbrojtur jetën dhe integritetin fizik të atyre që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, përfshirë dhe të drejtën e refugjatëve që të mos i kthejmë prapa në zonë lufte apo në vend ku jeta e tyre është në rrezik, janë pjesë e parimeve të Konventës së Gjenevës e vitit 1951, dhe Deklaratës universale e të drejtave të njeriut, dokument që ekziston që 75 vite. Derisa refugjatët të mos jenë të sigurtë të kthehen në vendet e tyre, qëndron përgjegjësia t’u ofrohet atyre siguri dhe qetësi aty ku janë, si dhe te pranohen me dinjitet.

Kjo do të thotë se të gjithë ne mundemi dhe duhet të jemi në rolin e katalizatorit dhe t’u zgjasim dorën e solidaritetit refugjatëve: Qeveritë, duke u siguruar që sistemi i azilit është i drejtë dhe efikas, politikat e tyre lokale për integrim të janë të hapura dhe gjithëpërfshirëse për refugjatët si dhe azilkërkuesit, në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtje ligjore; sektori privat, duke hapur mundësitë për punësim dhe mirëqenie; institucionet arsimore dhe akademike, duke lehtësuar qasjen në sistemin arsimor; mediat, duke përcjellë historitë e tyre pas numrave dhe duke hedhur dritë mbi realitetin dhe kontributin e tyre në qytetet dhe vendet nikoqire; shoqëria civile, duke mbështetur të drejtat e refugjatëve; dhe qytetarët, me mikpritjen e tyre në jetën shoqërore dhe kulturore.

Si punëtor humanitar, me të mbërritur në Shkup, mësova nga fqinjët e mi një fjalë të urtë popullore, e cila mu bë e dashur dhe afër zemrës sime: “Dora që jep, nuk thahet kurrë”.

(Autori është përfaqësues i UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut. Nga mediat shqipe në RMV, gazeta KOHA ka të drejtën ekskluzive të këtij shkrimi)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 20:25