104 vite nga ngritja e Bibliotekës Kombëtare, ndodhen 1 milion vëllime
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, shënon këtë të mërkurë 104 vjetorin e hapjes së saj.
Themelimi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ishte një nga vendimet e para të marra në Kongresin e Lushnjës, bashkë me shpalljen e Tiranës kryeqytet.
Koleksioni historik i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë i ka fillimet që në vitin 1917.
Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së Komisisë Letrare Shqipe, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak.
Më 10 dhjetor të vitit 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.
Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.
Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare.
Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.