Micotakis nuk do ndërmarrë masa ndaj Mickoskit: Përdori emrin zyrtar në komunikimet në SHBA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 22:31

Micotakis nuk do ndërmarrë masa ndaj Mickoskit: Përdori emrin zyrtar në komunikimet në SHBA

Kryeministri Hristijan Mickoski ka përdorur emrin kushtetues të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimet zyrtare me të gjithë liderët në samitin e NATO-s. Kështu deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një konferencë për shtyp që me gazetarë të mediave greke të pranishëm në Samitin e NATO-s në Uashington.

Micotakis deklaroi se gjithsesi, e ka ngritur shqetësimin për mosrespektimin e Marrëveshjes së Prespës në nivel të lartë atje, për shkak se Mickoski shkel dispozitat bazë të marrëveshjes dhe nuk e përdor emrin e njëjtë erga-omnes. Ai u referohet njoftimeve që Mickoski ka shkruar në rrjetet sociale për takimet në Uashington si dhe në video porositë lidhur me Samitin.

“Sigurisht, dua të theksoj se në sallë dhe në prani të të gjithë liderëve të NATO-s, ai nuk e ndoqi atë praktikë dhe përdori emrin kushtetues të vendit të tij”, deklaroi Kiriakos Micotakis, kryeministër i Greqisë.

Micotakis u pyet nëse do të shfrytëzojë të drejtën që i jep marrëveshja për ngritjen e procedurës së posaçme nëse ajo nuk respektohet. Megjithatë Micotakis ka shtuar se për momentin nuk planifikon ta zbulojë “armën” me të cilën eventualisht do t’i përgjigjej Shkupit. Ai beson se qeveria Mickoski do ta kuptojë se kjo taktikë është kontraproduktive.

Mickoski gjithsesi, ka përdorur disa herë emrin zyrtar të shtetit në fjalimin në Universitetin “Xhon Hopkins”. Nga Zëri i Amerikës kanë pyetur Departamentin e Shtetit për përplasjet mes dy vendeve. Nga atje janë të gatshëm të punojnë me të dy palët.

“Marrëveshja e Prespës ishte një arritje historike në zhbllokimin e arritjeve të sigurisë në Evropën Jugore dhe Lindore. Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë marrëveshje jetike, ritheksojnë rëndësinë e respektimit të saj dhe do të punojnë me të gjitha palët për të ruajtur përfitimet e saj”, thonë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Samiti i NATO-s në Uashington përfundoi, kurse delegacioni i Maqedonisë ka vazhduar aktivitetet në Nju Jork.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 12 Korrik, 2024 22:31