Zhvillimet në Bullgari, Neziri: RMV ka obligim kryesor ndryshimet kushtetuese

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Gusht, 2024 19:39

Zhvillimet në Bullgari, Neziri: RMV ka obligim kryesor ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese që janë obligim i propozimit francez nuk kanë të bëjnë me zhvillmet politike në Bullgari sepse vendi ynë ka marrë për obligim që të implementojë atë dokument me të cilin u hap procesi negociues për anëtarësimin në BE, theskon analisti politik, Xhelal Neziri.

Shton se procesi është hapur vetëm me skriningun, ndërsa kapitujt e parë duhet të hapen menjëherë pasi të zbatohet obligimi kryesor, përfshirja e bullgarëve etnikë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

“Ky process është pjesë negociuese në kornizën e BE-së, pra çështja e propozimit francez, e ndryshimeve kushtetuese ka të bëjë ekskluzivisht me Brukselin e asesi me Sofjen. Ajo që mund të shihet si një ogur i mirë ose si një sinjal pozitiv në Bullgari është nëse atje do të kemi një qeveri, e cila do të jet më proevropiane, më pro NATO, një qeveri e cila nuk do të jetë pengesë për Maqedoninë e Veriut por një ndihmues në këtë process, dhe nëse kjo ndodh atëherë do të jetë pozitive për vendin. Mirëpo prap e përsëris, nuk ka të bëjë aspak çështja e ndryshimeve kushtetuese me qeverinë në Bullgari.” – deklaroi analisti politik Xhelal Neziri.

Nënvizon se integrimi evropian është i domosdoshëm për zhvillimin dhe progresin e vendit. Duke reflektuar mbi tri dekadat e fundit, Neziri argumenton se autoritetet dhe politikanët lokalë nuk janë të pjekur për të punuar për shtetin dhe qytetarët pa një proces që i monitoron ato.

“Pa një procesi integrues, pa një proces të përfshierjes në BE, në mekanizmat e BE-së, asnjë vend I rajonit nuk ka pasur sukses në pjesën e reformave si në gjyqësor, në ekonomi, në polici e kështu me rradhë. Unë mendoj se kjo qeveri e ka të qartë këtë orientim, e ka të qartë edhe faktin që integrimi në BE është një nga dy qëllimet strategjike që I mban bashkë të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike, politike apo religjioze.” – tha analisti politik Xhelal Neziri.

Është një konsensus i përgjithshëm që nga pavarësia e vendit, që është në themelet e këtij shteti, për t’u bërë anëtarë të BE-së, pasi në 2020 u bëmë anëtarë të NATO-s, përfundon Neziri. Ndryshe, Bullgaria për të tretën herë me rradhë dështoi në formimin e qeverisë së re dhe me këtë në periudhën e ardhëshme vendin fqinjë e presin zgjedhje të reja. ( TVM2)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Gusht, 2024 19:39