VLEN-i e pranon se Balancuesi do hiqet, thonë se do ketë Ligj të ri
Koalicioni VLEN në mënyrë indirekte paralajmëron se mekanizmi i Balancuesit do të shfuqizohet këtë muaj nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa thonë se mekanizmi për mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë do të sigurohet me Ligj të ri, por pa e saktësuar nëse po përgatitet apo se kur do të nis përgatitja e Ligjit. Në një njoftim drejtuar mediave, VLEN thotë se mbeten të përkushtuar për të siguruar që të drejtat e shqiptarëve dhe të gjitha bashkësive tjera etnike, të jenë të garantuara, duke ofruar një qeverisje që bazohet në meritokraci dhe drejtësi.
“BDI, me një histori të gjatë abuzimesh, ka keqpërdorur institucionet shtetërore për të manipuluar qytetarët shqiptarë. Duke i trajtuar shqiptarët si “’vota’ dhe jo si qytetarë që meritojnë dinjitet dhe mundësi të barabarta, kjo parti ka penguar zhvillimin profesional të shqiptarëve në administratën publike. Për më tepër, shumë shqiptarë janë lënë në pozita pa status të definuar pune, pavarësisht premtimeve të bëra gjatë viteve. Këto politika kanë çuar në humbjen e shpresës dhe migrimin masiv të të rinjve tanë. Koalicioni VLEN në vend të Balancuesit do të sjellë një Ligji të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili do të garantojë barazi të plotë dhe përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Në ndërkohë, më 18 shtator, Gjykata Kushtetuese e ka vënë në rend dite ankesën e Komisionit për Antikorrupsion të mekanizmit të Balancuesit, duke deklaruar se ky mekanizëm, në shpalljet dhe konkurset publike, i cenon mbrojtjen e identitetit të etnisë dhe të tjerëve i mohon gara të barabartë në punësimet shtetërore. Paraprakisht, sapo u formua Qeveria e re, ministri i ri i Administratës, Goran Minçev e ndryshoi formulën për Balancuesin, konkretisht punësimet e shqiptarëve në institucionet e shtetit nga 29 për qind, i uli në 24 për qind, ndërsa e rriti për maqedonasit për 5 për qind më shumë. (koha.mk)
















