Ballkani mbetet subjekt i ndikimeve malinje, u vlerësua në takimin SHBA – Karta e Adriatikut

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 18 Shtator, 2024 21:19

Ballkani mbetet subjekt i ndikimeve malinje, u vlerësua në takimin SHBA – Karta e Adriatikut

Në Tiranë, shefat e Shtabeve të ushtrisë të vendeve të rajonit, pjesë të nismës SHBA-Karta e Adriatikut theksuan sot se “Ballkani mbetet subjekt i ndikimeve malinje”. Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Christopher Cavoli, deklaroi se takimi i sotëm, ishte një mundësi për t’u angazhuar në dialog e për t’u përqendruar “në këtë pjesë kritike të Evropës”, raporton Zëri i Amerikës.

Karta e Adriatikut përfshin si anëtare të saj 5 vende të Ballkanit, me Kosovën që ka statusin e vëzhguesit, ndërsa Serbia nuk është pjesë e saj. Takimi i sotëm në Tiranë, i bashkëkryesuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare gjeneralmajor Arben Kingji dhe gjenerali amerikan Christopher Cavoli, pati në qendër rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto, si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës si dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të Nato-s për vendet partnere, e po ashtu dhe zhvillimet në mjedisin e sigurisë me fokus rajonin e Ballkanit, të cilin gjenerali amerikan e përkufizoi si “një pjesë kritike të Evropës“.

Në fjalën e tij të shkurtër në hapje të konferencës ai tha se “vendet pjesëmarrëse janë të gjitha të angazhuara për të çuar përpara parimet e Kartës së OKB dhe vlerave themelore të cilat për ne janë shumë të shtrenjta. Sot kjo është më e rëndësishme se kurrë”, nënvizoi ai.

Në deklaratën e përbashkët të takimit theksohet se “Ballkani Perëndimor mbetet subjekt i ndikimeve malinje, duke përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike, të paraqitura nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërore. Në këtë drejtim, vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe gjithëpërfshirja janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të përparojmë drejt këtij qëllimi.”

Ndërsa në deklaratën përfundimtare të takimit vihet në dukje se “integrimi në NATO i të gjitha vendeve aspirante në Evropën Juglindore është një nga qëllimet kryesore të Iniciativës. Në këtë kuptim, ne mbështesim politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe mbështesim aspiratat e vendeve aspirante të mbetura nga Evropa Juglindore drejt anëtarësimit në NATO, duke respektuar nevojën për dialog të brendshëm”.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 18 Shtator, 2024 21:19