Në vend të një In Memoriami: Tahir Hani – Dosja Sekrete!

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Nëntor, 2024 08:30

Në vend të një In Memoriami: Tahir Hani – Dosja Sekrete!

TAHIR HANI DOSJA SEKRETE

RECENSION NGA PROF. DR. IBRAHIM GASHI

Historia e personaliteteve konsiderohet nga historishkruesit si zhanri më sfidues historiografik, për më tepër kur shkruhet për personalitetet që akoma janë gjallë.

Në historinë e shtetit modern, që nga shekulli XVII, termi patriot është atribouar për një person që e do vendin e tij ose të saj dhe është i gatshëm ta mbështesë dhe mbrojë atë me guxim.

Sfida për historishkruesit që merren me historinë e personaliteteve qëndron pikërisht këtu si të matet më saktësi dhe objektivisht kontributi i të cilit ka bërë një e më shumë veprime të guximshme në mbrojtjen e atdheut të tij. Në këtë rast historianët janë të detyruar të ju drejtohen arkivave dhe shkrimin e tyre ta mbështesin në burime primare të pabotuara që ruhen në arkiva. Vetëm kështu ata arrijnë të shmangin presione dhe ndikime te ndryshme, sepse në vend që të flasin me gjuhën e bashkëkohanikëve ata flasin me gjuhën e dokumenteve.

E bëra këtë parantezë për të kuptuar se libri “TAHIR HANI DOSJA SEKRETE” i përgatitur nga autorët Ismet Jonuzi-Krosi dhe Nuri Bexheti, është model tipik i një libri mbi një veprimtar patriot, i shkruar ekskluzivisht në mbështetje të dokumenteve arkivore, madje duke e përkufizuar edhe në titull mbështetjen në një burim të vetëm arkivor, por që hedh dritë të mjaftueshme për të kuptuar veprimtarinë kombëtare të një veprimtari të devotshëm të çështjes kombëtare si z. Tahir Hani dhe grupit të bashkëveprimtarëve të tij gjatë viteve 1982-1985 dhe më pastaj bashkëvuajtësve të tij në burgjet e Jugosllavisë që për shqiptarët ky shtet ishte më shumë shtet i serbëve se sa i kombeve tjera të sllavëve të jugut.
Përmes protagonistit kryesor të këtij libri, veprimtarit Tahir Hani, duke lexuar profilin e tij që i benë armiku në qindra faqe të aktakuzës, ne mësojmë për profilin e secilit nga shokët e tij të idealit jo vetëm ata që janë të përfshirë në këtë dosje dhe për veprimtarinë e tyre politike me synime çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Veprimtari dhe patrioti Tahir Hani është personifikimi i përmbajtjes së lëvizjes për Kosovën Republikë dhe përpjekjen e saj siç më të te drejtë e kishte kualifikuar aktakuza si irredentiste, që kishte synim shkëputjen e Kosovës, Maqedonisë dhe viseve tjera shqiptare në Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Një koincidencë e rëndësishme për të gjitha ata të burgosur që u dënuan në vitin 1981 që ndodhi në burgjet e Jugosllavisë ishte lidhja brezave të disidencës shqiptare.

Sipas rrëfimeve të vet protagonistëve ishin me fat ata që në burgje takonin veprimtarët me emrin e të cilëve ishin admiruar, inspiruar dhe kishin vepruar në organizim. Sidomos konsideroheshin më fat ata që u dërguan apo u transferuan për vuajtje të dënimit në Burgun e Stara Gradishkës, ku ndodhej prej kohës ikona e lëvizjes kombëtare të rezistencës, baca Adem Demaçi. Këtë fat e pati edhe protagonisti kryesor i këtij libri, z. Tahir Hani, i cili në vitin 1983 u dënua më 13 vite burg, por qe pas tre viteve të renda në Burgun e Idrizovës, u transferua në Burgun e Stara Gradishkës, ku u takua me Adem Demaçin.

Ja çka shkruan në një raport të oficerit policor të burgut të Stara Gradishkës lidhur më të burgosurin Tahir Hani: “I ri dhe fanatik në bindjet e tija politike, ka përkrahje të fuqishme të familjarëve të tij, veçanërisht vëllezërve që jetojnë në Suedi. Indoktrinimi i mëtutjeshëm i tij, me keqardhje, vijon këtu nën ndikimin e Adem Demaçit, për të cilën literaturë veçmë është i njoftuar. Mendojmë se kjo duhej të ishte marrë parasysh gjatë vendimit për dërgimin e këtyre të rinjve të indoktrinuar për vuajtjen e mëtutjeshme të dënimit.

Neve na mbetet e vetmja barrierë e dobishme, që kontaktet me Demaçin të mos jenë intensive dhe Tahir Hanin ta vendosim në repartin e II-të, meqë Demaçi është në të IV-in. Propozojmë orar të punës në repartin e zdrukthëtarisë dhe grupin B”. (Pantelija Milovanoviç, Stara Gradishkë, 4.11.1988.)
Duke e lexuar dosjen “Artar” Nr. AP.92/86, lexuesit në përgjithësi dhe sidomos ata më të rinj në moshë, që nuk kanë jetuar në ato vite mësojnë disa gjëra njëkohësisht. E para dhe më e rëndësishmja është idealizmi i lartë i Tahir Hanit dhe shokëve të tij të idealit, gatishmëria për kundërvënie dhe guximi për të vepruar në rrethana të një “rrethimi të hekurt” nga struktura e sigurimit shtetëror dhe një rrjet i gjerë dhe i kudondodhur i aparatçikëve, por edhe njerëzve të thjesht të cilët kishin rënë pre e propagandës shtetërore apo peng i ndonjë interesi personal dhe që shpesh me zell e bënin punën e djallit.

E dyta që mësojmë nga kjo dosje, natyrisht e kundruar nga një retrospektivë më shumë se 40-vjeçare, është morali i lartë kombëtar i anëtarëve të grupit, qëndresa e fortë në hetuesi dhe para trupit gjykues dhe besimi i lartë në të ardhmen e ndritur të kombit, që për ta ishte tashme vizion i qartë, por për të cilin duhej sakrificë deri në vetëmohim.

E treta gjë që bie në sy, është guximi i tyre për të vepruar në një kohë kur përndjekja dhe dënimet drakonike që u bë mbi rininë shqiptare që ishin organizatorë dhe pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981 kishte krijuar një atmosferë të rëndë kudo ku jetonin shqiptarët në Jugosllavi dhe ishte pothuaj e paimagjinueshme që ta ringjallje lëvizjen e rezistencës në ato rrethana, dhe pikërisht dy vite më vonë Tahir Hani dhe shokët e tij të grupit arritën të bashkonin forcën e veprimit për ta çuar në fund vizionin e tyre, të vetëdijshëm se do mund fare lehtë të kishin fatin e shokëve të tyre të cilët tashmë ndodheshin në burgje.

E katërta, që mund të lexohet drejt ose ndërmjet rreshtave nga kjo dosje, ishte lidhja e fortë mes anëtarëve të grupit për të mbrojtur njeri-tjetrin dhe mbështetur kauzën e tyre me çdo çmim, madje edhe për ta kultivuar atë edhe brenda mureve të burgut. E pesta, jo më pak e rëndësishme, ishte mbështetja e familjeve të tyre për bijtë e tyre të burgosur jo vetëm në sensin e të qenit njerëz të gjakut, por duke i konsideruar ata si misionar të çështjes kombëtare dhe mbështetjen e tyre si mision për ta ndihmuar kauzën për çlirim.

Në fund dua të konfirmoj si historian, se botimi i kësaj dosje voluminoze që është vetëm një nga mijëra të tilla me të cilat u ngritën akuza për të rinjtë shqiptarë që nga Paslufta e Dytë Botërore dhe veçmas nga viti 1981, është një shërbim i mirë që i bëhet historiografisë. Sot metodologjitë e avancuara e të shkruarit të historisë, sidomos në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në vende tjera me demokraci të zhvilluar, preferojnë ofrimin e fakteve dhe imazheve origjinale të historisë tek audiencat e lexuesve, dhe jo interpretimet e historianëve profesionistë për të cilët mendohet se jo gjithherë janë të paanshëm.

Ky zhanër i historiografisë njihet si Histori Publike, që rekomandon ofrimin e imazheve dhe fakteve që ndodhen në arkiva apo muze, si materiale të shkruara apo audio-vizuale (filma dokumentar) në mënyrë që lexuesi apo shikuesi ta kuptojë dhe vlerësojë atë përmbajtje sipas përcaktimit të tij dhe jo sipas një interpretimi të dikujt tjetër. Këtu qëndron kontributi i autorëve që kanë përgatitur për botim këtë dosje, kolegëve Ismet Jonuzi-Krosi dhe Nuri Bexheti. Ky libër është dëshmi e një përpjekjeje serioze dhe një arritjeje solide të kolegëve Krosi e Bexheti për çka sinqerisht në emër tim, por edhe të lexuesve të librit, i falënderoj publikisht.

Prishtinë, më 5 shkurt 2024 Prof. dr. Ibrahim Gashi

Lexo edhe: Ka ndërruar jetë Tahir Hani

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Nëntor, 2024 08:30