Mikroplastika në ushqim: Rreziku që vjen nga ambalazhet
Një studim i ri i publikuar në NPJ Science of Food ka zbuluar se përdorimi i zakonshëm i ambalazheve plastike mund të çojë në ndotjen e ushqimit me mikro dhe nanoplastikë. Heqja e mbështjelljes plastike nga mishi, frutat apo produktet e konservuara mund të lëshojë grimca mikroskopike plastike që përfundojnë në trupin tonë.
Studiuesit kanë gjetur mikroplastikë në një gamë të gjerë produktesh, përfshirë birrën, peshkun në konservë, orizin, ujin mineral, çajet, kripën dhe ushqimet e gatshme. Mikroplastikat janë aq të vogla sa mund të kalojnë në qarkullimin e gjakut dhe të dëmtojnë qelizat. Ato janë zbuluar në trurin e njeriut, gjakun, mushkëritë, mëlçinë, qumështin e gjirit dhe placentën.
Një analizë e vitit 2024 tregoi se personat me mikroplastikë në arteriet e qafës kishin dyfish më shumë rrezik për infarkt apo goditje cerebrale. Faktorët që përkeqësojnë ndotjen përfshijnë ngrohjen e plastikës, larjen e përsëritur, ekspozimin ndaj diellit dhe hapjen e shpeshtë të paketimit.
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e enëve qelqi ose çeliku, shmangien e ngrohjes së plastikës në mikrovalë dhe evitimin e paketimeve me kod riciklimi 3. Megjithatë, zgjidhja kërkon veprim sistematik. Në gusht 2025, mbi 175 vende do të mblidhen në Gjenevë për të diskutuar një marrëveshje globale për ndalimin e ndotjes plastike.
Flaka
















