Osmani: Maqedonia e Veriut është kapur nga rrjeta e “botës serbe” – Hetim dhe debat urgjent në Kuvend
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati i BDI-së për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër pas miratimit të raportit të fundit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, ku mes tjerash konstatohet se vendi është futur nën ndikimin e “botës serbe”, transmeton Flaka
“Miratimi i raportit nga 461 eurodeputetë nga të gjitha spektrat politike, ku konstatohet se Maqedonia e Veriut është kapur nga rrjeta e ‘botës serbe’, është alarmant,” ka deklaruar Osmani. “Ky nuk është më qëndrim politik – është një fakt i konfirmuar nga shumica absolute e përfaqësuesve të qytetarëve evropianë.”
Osmani kujtoi se për muaj me radhë kishte paralajmëruar për një rrëshqitje të qartë të vendit drejt agjendave që nuk përputhen me vlerat evropiane dhe marrëveshjet mbi të cilat është ndërtuar shteti multietnik.
“Ky zhvillim kërkon një hetim serioz dhe një debat të menjëhershëm në Kuvend. Si u fut shteti në këtë rrjetë? Kush e rrezikoi qëllimin më të rëndësishëm strategjik të shqiptarëve? Cilat janë pasojat për integrimin evropian dhe bashkëjetesën e brendshme?”, pyet Osmani.
Sipas tij, nuk ka temë më të rëndësishme për momentin sesa kjo. “Ky është rreziku më i afërt për të ardhmen e vendit,” përfundon ai. Flaka
















