Studimi: Truri u plak më shpejt gjatë pandemisë, veçanërisht tek meshkujt
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Nature Communications ka zbuluar se pandemia COVID-19 ka përshpejtuar plakjen e trurit tek njerëzit, pavarësisht nëse ata janë infektuar apo jo me virusin SARS-CoV-2.
Hulumtimi, i kryer nga Universiteti i Nottinghamit, analizoi skanimet e trurit të rreth 1,000 të rriturve të shëndetshëm nga databaza UK Biobank, duke përdorur inteligjencën artificiale për të vlerësuar moshën e trurit. Rezultatet treguan se truri i pjesëmarrësve që jetuan gjatë pandemisë ishte mesatarisht 5.5 muaj më i plakur sesa ai i pjesëmarrësve të grupit kontroll që nuk përjetuan pandeminë.
Plakja e përshpejtuar ishte më e theksuar tek meshkujt, të moshuarit, dhe ata me sfond socio-ekonomik të privuar. Ndërsa vetëm ata që u infektuan me COVID-19 treguan rënie të dukshme në aftësitë njohëse, si fleksibiliteti mendor dhe shpejtësia e përpunimit2, pjesa tjetër përjetoi ndryshime strukturore në tru pa simptoma të dukshme.
Shkencëtarët theksojnë se stresi, izolimi social, pasiguria ekonomike dhe ndërprerjet në stilin e jetës gjatë pandemisë kanë ndikuar në mënyrë të pavarur në plakjen e trurit. Ata paralajmërojnë për nevojën urgjente për politika që adresojnë pabarazitë shëndetësore dhe sociale, si dhe për strategji që mbështesin shëndetin e trurit në kohë krizash.
Flaka
















