Milani pezullon vendimin për Boniface – Tare flet pas kontrolleve mjekësore
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar lidhur me transferimin e Victor Boniface nga Bayer Leverkusen, pas një sërë kontrollesh mjekësore të kryera gjatë dy ditëve të fundit.
Sulmuesi nigerian, i cili ka kaluar një sezon mbresëlënës në Bundesliga, ka qenë objektiv i kuqezinjve këtë verë. Marrëveshja e parashikuar është një huazim me pagesë dhe opsion blerjeje në fund të sezonit, për një shumë totale rreth 30 milionë euro.
Megjithatë, historiku i dëmtimeve të lojtarit ka bërë që stafi mjekësor i Milanit të kryejë analiza të thelluara për të vlerësuar gjendjen e tij fizike.
“Nuk ka pasur kontrolle shtesë. Ne e dinim që kishte pasur probleme në të kaluarën, po e vlerësojmë gjithçka sipas planit, sa i përket shëndetit dhe formës fizike së lojtarit. Cilësitë e tij nuk vihen në dyshim, thjesht po përpiqemi të marrim vendimin e duhur për këtë situatë,” – u shpreh Tare për DAZN Italia.
Sipas raportimeve, Milani po shqyrton mundësinë për të negociuar një zbritje në çmimin e huazimit, duke ruajtur opsionin për ta blerë Boniface pas përfundimit të sezonit. Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vijim.
Flaka
















