Alexander Isak drejt Liverpool? Transferimi që mund të vendoset në minutat e fundit
Ndërsa afati kalimtar veror po i afrohet fundit, një nga sagat më të nxehta të merkatos është padyshim ajo e Alexander Isak. Sulmuesi suedez i Newcastle United ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga klubi, ndërsa Liverpool ka bërë një ofertë zyrtare prej 110 milionë paund, e refuzuar nga “Magpies”.
Sipas gazetarit të njohur David Ornstein, gjithçka varet nga dy faktorë kyç: nëse Newcastle arrin të sigurojë zëvendësues të mjaftueshëm dhe nëse Liverpool paraqet një ofertë që përmbush pritshmëritë e klubit nga Tyneside. “Ka shumë nëse dhe nuk ka garanci që marrëveshja do të ndodhë,” tha Ornstein.
Isak nuk ka luajtur në ndeshjet parasezonale dhe thuhet se ka refuzuar të rikthehet në skuadër, duke e bërë të qartë se nuk dëshiron të vazhdojë me Newcastle. Klubi po punon intensivisht për të siguruar dy sulmues të rinj, përfshirë Jorgen Strand Larsen dhe Yoane Wissa.
Nëse Newcastle arrin të mbyllë këto marrëveshje, atëherë dera për largimin e Isak mund të hapet. Liverpool, nga ana tjetër, është gati të rrisë ofertën në 130 milionë paund, por Newcastle kërkon 150 milionë.
Ora po troket dhe gjithçka mund të vendoset në minutat e fundit të merkatos. A do të jetë Isak goditja e madhe e Liverpoolit këtë verë?
Flaka
















