Patatet e skuqura të lidhura me rrezik më të lartë të ankthit dhe depresionit
Një studim i ri i publikuar në revistën PNAS ka zbuluar një lidhje të fortë mes konsumit të shpeshtë të ushqimeve të skuqura – veçanërisht patateve të skuqura – dhe një rreziku më të lartë për zhvillimin e ankthit dhe depresionit.
Hulumtimi, i kryer nga një ekip shkencëtarësh në Hangzhou, Kinë, përfshiu 140,728 persona gjatë një periudhe 11-vjeçare. Rezultatet treguan se konsumimi i rregullt i ushqimeve të skuqura lidhet me një 12% rritje të rrezikut për ankth dhe një 7% rritje të rrezikut për depresion, krahasuar me ata që nuk i konsumojnë këto ushqime.
Efekti ishte më i theksuar tek të rinjtë dhe konsumatorët e rregullt. Patatet e skuqura u identifikuan si ushqimi me ndikimin më të madh negativ, duke pasur një rrezik 2% më të lartë të depresionit sesa mishi i bardhë i skuqur.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse lidhja është e qartë, nuk dihet ende nëse ushqimet e skuqura shkaktojnë drejtpërdrejt probleme të shëndetit mendor, apo nëse personat me simptoma të ankthit dhe depresionit priren të konsumojnë më shumë “ushqime të rehatshme”.
Ky studim shton një arsye tjetër për të kufizuar ushqimet e skuqura, të cilat tashmë njihen si faktorë rreziku për obezitetin, presionin e lartë të gjakut dhe sëmundje të tjera kronike.
Flaka
















