Legjenda e United kritikon klubin: “Duhej të sillnit Donnarumma-n, humbët shansin për portierin më të mirë në botë”
Legjenda e Manchester United, Paul Scholes, ka kritikuar ashpër strategjinë e merkatos së klubit gjatë verës, duke e quajtur “kriminale” mungesën e një oferte për Gianluigi Donnarumma-n kur ai ishte i disponueshëm.
Në një prononcim për BBC 5 Live Sport, Scholes u shpreh se portieri italian, i cili përfundoi te Manchester City për rreth 26 milionë paund, do të kishte qenë zgjidhja ideale për problemet e United në portë.
“Portieri ishte një problem madhor. Në momentin që Donnarumma u bë i lirë për t’u transferuar, duhej të shkoje në Paris, ta merrje dhe t’i ofroje gjithçka që kërkonte. Nëse nuk ishin në garë për të, për mua është një krim sportiv,” tha Scholes.
Manchester United, nën drejtimin e Ruben Amorim, ka pësuar një nisje të dobët të sezonit, me vetëm një fitore në katër ndeshjet e para të Premier League dhe eliminim të hershëm nga Carabao Cup. Kritikat e Scholes shtohen mbi presionin që tashmë ndjen trajneri portugez për të ndryshuar qasjen taktike dhe për të përmirësuar rezultatet.
Flaka
















